Reali i Madridit u mposht me rezultatin 3-1 nga Bayerni i Mynihut në sfidën e vlefshme për International Champions Cup, ndërsa në fund të takimit, Zinedine Zidane dërgoi një sinjal të qartë për uellsianin Gareth Bale.

Ky i fundit nuk luajti asnjë minutë, ndërsa trajneri francez i Realit konfirmoi se nuk e ka në plane dhe se po pret që të largohet sa më shpejt, ndaj nuk ka ndërmend ta aktivizojë.

“Bale nuk luajti sepse është për të ikur. Po punojmë për largimin e tij në një tjetër klub dhe situata është e tillë që sa më shpejt të largohet, aq më mirë do jetë për të gjithë. Nuk kam asgjë personale me të, por thjesht ka ardhur koha që të marrim disa vendime dhe njëri prej tyre është të largojmë Bale”, tha Zidane.

Uellsiani iu bashkua Realit të Madridit në verën e 2013-ës dhe në 6 sezone, ka zbritur në fushë plot 155 herë, duke shënuar edhe 78 gola, por nuk bën pjesë në planet e Zidane dhe klubi spanjoll po kërkon një destinacion të ri për të.