Nuk ndodhte prej 10 marsit 2009 (4-0 në “Anfield”) që Reali të humbiste me 3 apo më shumë gola jashtë fushe në Europë dhe të mos shënonte. Zinedin Zidan akuzon skuadrën për mungesën e intensitetit.

“Na mungoi niveli i duhur i intensitetit. Humbëm duelet një kundër një dhe kjo ta vështirëson jetën nëse luan përballë PSG-së. Ata janë një skuadër e mirë, krijojnë raste, por unë nuk jam i shqetësuar për këtë. Jam i shqetësuar që skuadra ime nuk luajti në nivelin e kompeticionit që kërkon një rival si PSG. Ata ishin superiorë ndaj nesh në çdo gjë që bënë, edhe në intensitet, që më zemëron më shumë. Ishin mirë dhe krijuan raste”, tha trajneri francez, i cili vijoi:

“E dinim që do të na ushtronin presion, por nuk hymë siç duhet në ndeshje në asnjë moment. Normalisht ne krijojmë shumë raste dhe pavarësisht se na u anuluan dy gola, ishte shumë pak. Kur fitojmë, ne fitojmë së bashku, kur humbasim, është faji i të gjithëve. Këtu jemi të gjithë në të njëjtën anije. Ata e merituan të fitonin. Ishim mirë në çdo sektor. Kur luan në këtë nivel, është e vështirë kur nuk je në standardin dhe ritmin tënd. Kjo humbje është e vështirë për t’u pranuar, por ne kemi një ndeshje tjetër të dielën (kundër Sevijes) dhe duhet të përqendrohemi tek ajo. Intensiteti është gjëja më e rëndësishme në fushë. Mund të bësh ndeshjen më të dobët, por nëse luan me intensitet, fut këmbën, fiton duelet, mund ta fitosh ndeshjen. Por, ne nuk e bëmë”.

Por, mesfushori i tij, Kasemiro, nuk është dakord me trajnerin. Braziliani pranon zhgënjimin e Realit, por nuk do të dëgjojë se skuadrës i mungoi intensiteti: “Nuk na mungoi kjo gjë dhe Reali nuk do të akuzohet kurrë për këtë. Ne erdhëm këtu për të dhënë më të mirën tonë, ashtu siç bëjmë gjithnjë. Ka shumë gjëra për të përmirësuar, por ka kohë për ta bërë”.