Ndeshjet e javës së 8-të të Kampionatit Kombëtar në Volejboll për meshkuj nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në renditje, pasi ekipet e kreut kanë fituar dhe kanë mbrojtur pozitat e tyre.

Erzeni kampion fitoi 3-0 në “Asllan Rusi” ndaj Studentit, një ndeshje në shumicën e kohës e dominuar nga miqtë shijakas. Studenti rivalizoi vetëm në setin e dytë, ku tentoi të rihapë sfidën, por u dorëzua në pikët shtesë.

Ndërsa pjesa tjetër e ndeshjes ishtë nën kontrollin e Erzeni, që korr suksesin e shtatë në kampionat dhe mbyll ndeshjet e fazës së parë, pasi javën e ardhshme është pushim. Jashtë fushe fiton Elbasani, që mundi 3-0 Teutën në Durrës, suksesi i parë në kampionat për miqtë.

Në fushë u përballën dy ekipe që nuk kishin asnjë pikë e fitore deri më sot, por në fund të takimit festojnë miqtë nga Elbasani. Një ndeshje në përgjithësi e komanduar nga skuadra mike, që pati një epërsi të lehtë në të trija setet, duke e merituar fitoren dhe i largohet vendit të fundit. Pa asnjë fitore sërish Teuta, që prej më shumë se një viti nuk arrin të gjejë rrugën drejt suksesit.