Shqipëria në volejboll për meshkuj gjunjëzohet 3-0 nga Portugalia në Grupin D të eliminatoreve të Europianit. Në sfidën e luajtur në qytetin e Setubalit djemtë kuqezi të drejtuar nga Jani Melka u munduan të bënin diçka të mirë, por vendasit ishin më konkretë në momentet vendimtare, duke i fituar të tre setet. Në dy setet e para pati më shumë rivalitet, por vendasit triumfuan 25-21 dhe 25-20. I treti u shndërrua në formalitet, pasi Shqipëria arriti të shënonte gjithsej vetëm 15 pikë.

Të dielën më 19 gusht Shqipëria do të luajë ndeshjen e saj të dytë në këto eliminatore, teksa në Tiranë do të mbërrijë kombëtarja e Austrisë, ndërkohë që skuadra e katërt në grup është Kroacia (do të luajë pas një jave).

Portugali – Shqipëri, 3-0 (25-21, 25-20, 25-15)

PORTUGALIA: Da Silva, Belo, Cveticanin, M.Ferreira, A.Ferreira, Alvar, Monteiro, Simoes, P.Martins, L.Martins, Sequeira, Tavares, Gomes, Fidalgo. Trajner: Hugo Silva.

SHQIPËRIA: Kola, Gjoklaj, Koçi, Arapi, Husaj, Bakiri, Kula, A.Qafarena, Baruti, Deliu. Trajner: Jani Melka.