Kledi Kadiu është vetëm 16 vjeç dhe kampion i Shqipërisë në not. Ai përfaqëson ekipin e Teutës së Durrësit jo vetëm në garat kombëtare, po dhe ato ndërkombëtare.

Po çfarë regjimi ndjek kampioni i ri për të arritur rezultatet e dëshiruara edhe pse si shumë bashkëmoshatarë dhe ai tundohet nga ushqimi i shpejtë?

"Në qoftë se do të arrish rezultate duhet të flesh herët, të stërvitesh shumë dhe të mos ushqehesh keq. Të mos hash sufllaqe, fast food, po ndonjëherë lejohen. Unë e prish shpesh regjimin ushqimor", shprehet Kledi Kadiu.

Si shumë sportistë të tjerë shqiptarë dhe Kledi arrin të diferencojë kushtet që u ofrohen sportistëve në vend dhe jashtë tij, konkretisht Shteteve të Bashkuara ku ka qëndruar për afro 2 vjet.

“Ka qenë një përvojë shumë e mirë dhe shumë ndryshe. Mentaliteti, ambjenti është ndryshe. Të ndihmon të stërvitesh më shumë e më fort dhe ka shumë konkurrencë gjë që më ka ndihmuar shumë të arrij këtu ku jam”, thotë Kadiu.

Ashtu si Kledi, edhe Alesandro, Dalvi dhe të tjerë i janë përkushtuar këtij sporti kaq të bukur, po që kërkon punë e përkushtim. Përveçse kampionë kombëtarë në disiplina të ndryshme për moshën e tyre, ata janë dhe nxënës shumë të mirë.

“Duke vazhduar notin synoj të marr dhe një bursë olimpike dhe kam për objektiv të shkoj te Lojërat Olimpike 2020. Mësimet janë parësore. Noti vjen i dyti, po kemi gjetur një mënyrë për t’i balancuar” – thotë Dalvi, kampion kombëtar në garat 50 dhe 100 metra stil i lirë.

“Edhe unë jam mirë me mësime. Kombinojmë oraret për të pasur kohë të lirë për notin, pa lënë pas dore mësimet”– shton Alesandro, kampion kombëtar për moshat 13-14 vjeçare në garat e gjata, stil i lirë.

Me fillimin e shkollës është e vështirë që fëmijët të ndjekin paralelisht sportin dhe mësimet, po puna nuk ndalet dhe trajnerët e ekipit po përpiqen që të afrojnë sa më shumë fëmijë drejt këtij sporti.

“Vitet e fundit numri i fëmijëve dhe të rriturve që e frekuentojnë pishinën është rritur ndjeshëm, sidomos në sezonin e verës. Dimri është më i gjatë dhe e kemi më të vështirë t’i mbajmë afër ambjenteve sportive. Por ekipin jemi munduar ta mbajmë kompakt falë bashkëpunimit me prindërit dhe arritëm të jemi kampion të Shqipërisë këtë vit”, shton Trajneri i ekipit “Teuta”, Jurgen Bici.

Ekipi “Teuta” synon ta masivizojë dhe notin te vajzat duke konkurruar edhe në gara brenda dhe jashtë vendit edhe me to.