Adoleshenti nga Durrësi, Xhuljano Bejko do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Evropian U-16 të boksit.

Një arritje personale shumë e rëndësishme kjo për Xhuljanon dhe njëkohësisht për ekipin e Teutës në boks, pjesë e të cilit është boksieri i talentuar.

Bejko po stërvitet për të marrë pjesë në kompeticionin e rëndësishëm nga dy trajnerët Jani Nano dhe Enton Kikrri. Trajnerët e talentit durrsak shprehen shumë besimplotë se Xhuljo, siç e njohin të gjithë, do të kthehet me medalje nga Kampionati Evropian U-16, i cili do të zhvillohet në datat 22 maj deri më 2 qershor në Galati, Rumani.

Arritjet e deritanishme të Xhuljos flasin shumë më tepër, sesa mosha e tij mjaft e re. Talenti durrsak është prej 4 vitesh kampion i Shqipërisë dhe fitues i disa turneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Medaljet e marra në të gjitha kompeticionet ku ka marrë pjesë janë dëshmi e talentit durrsak dhe premtojnë për arritje edhe më të rëndësishme në të ardhmen.

Në Kampionatin e fundit Kombëtar, i zhvilluar 18-21 prill, Xhuljo fitoi 3 ndeshje dhe u shpall boksieri më i mirë ndër 90 pjesëmarrës. Deri më tani, adoleshenti ka zhvilluar 22 ndeshje në karrierën e tij në boks dhe të gjitha i ka fituar.

Puna e mirë e bërë nga dy trajnerët e boksit me të rinjtë durrsakë ka bërë të mundur që ekipi i Teutës të renditet në vend të dytë në Kampionatin Kombëtar U-16, ndër 12 ekipe pjesëmarrëse në kompeticion.