Atleti durrsak, Adriatik Hoxha vendos rekord të ri kombëtar. Për herë të parë në historinë e sportit të gjyles në vendin tonë kalohet kufiri i 18 metrave. Atleti kërkon të përfaqësojë vendin tonë në lojrat olimpike Londër 2012, por në të njëjtën kohë apelon për mbështetje nga strukturat shtetërore dhe ato sportive

Kemi shkruar shumë për Adriatik Hoxhën dhe ndoshta s’kemi thënë asgjë para asaj që pritet të flitet. Pa asnjë mëdyshje kemi të bëjmë me një atlet të përmasave të papara dhe është gjynah të na ikë nga duart. Ashtu si deti Adriatik që dallgëzon e ngren valët 9 ballë, pranë të cilit djaloshi thuri ëndërrat e para, ashtu edhe ky Adriatik njerëzor realizoi një “cunam” në hedhjen e gjyles. Ai ka marrë me kohë një zotim: të përfaqësojë atletikën shqiptare në lojrat olimpike Londër 2012. Por KOKSH i vë shkopinjtë e parë në rrota Adriatikut, duke i ndërprerë bursën olimpike prej 800 dollarë në muaj. Absurdi i përzier me injorancën dhe profanizimin foli: “Bursën tënde ja dhamë një tjetri, pasi ti je i pazoti”. Dhe përballë këtij turpi, mu si valë 9 ballëshe ngrihet puna e jashtëzakonshme e Adriatik Hoxhës dhe trajnerit të tij të palodhur Emin Kosturi.

Historia e tetë rekordeve

Është shkruajtur se si një ditë Emin Kosturi zbuloi talentin e Adriatik Hoxhës. Ia bleu zemrën dhe në fakt i tha të vërtetën: Ti djalosh ke lindur për hedhje gjyle, do të punojmë së bashku! Kaq u desh që ky Adriatik Hoxha, i datëlindjes 9 mars 1990, me gjatësi 1.98 metër dhe peshë 130 kilogram, ta bënte gjylen pjesë të trupit të tij. Sfera 7 kilogramëshe e 260 gram, me diametër 11-13 cm, do të hidhej miliona e miliona herë nga ky gjigand i atletikës shqiptare për të avancuar për çdo ditë nga një centimetër. Së pari mori mbarë rekordet e të rinjve. Në fillim të vitit 2008 e filloi rekorsin me 15.54 për të rinjtë dhe lezhjani Manfred Koleci iu largua gjyles për pamundësi konkurence. Po atë vit kaloi me të rriturit. Dhe e dini se çfarë ngjau? Me 12 qershor 2009 në stadiumin “Qemal Stafa” Adriatiku ynë e hodhi gjylen 16.95 metra, një rekord sensacional. Së bashku me shifrat e papara, ai hodhi në “tokë” edhe rekordin 25 vjeçar të atletit tiranas Arben Gugushka, të vendosur me 25 korrik 1984 me 16.52 metra. Nga kjo kohë Adriatik Hoxha do të kishte vetëm një rival, atë dhe vetëm atë. Dhe cili është ky? Quhet Adriatik Hoxha. Ndonëse në konkurencë me vetveten, gjylja shqiptare në krahët e Adriatik Hoxhës përparon nga gara në garë. Pas 59 vitesh, gjylja nuk e gjente rekordmenin nga kryeqyteti, por tashmë është ulur dhe do të qëndrojë gjatë këtu në Durrës, duke të kujtuar një nga gjigandët e hedhjeve në atletikën shqiptare Rruf (Rifat) Kazazin. Por këtu nuk mbaron historia e magjishme e Adriatik Hoxhës. Ai ka vendosur ta “lodhë” sferën, duke e bindur gjithnjë e më shumë që t’i shkojë pas vetes. Duhet të vinte viti 2010, që gjylja në krahët e Adriatik Hoxhës të “çmendej”. Rekordi thyhet më shumë se gjysmë metri. Nuk bëhet më fjalë për centimetra, aq shpejt është përparimi. Nga 16.95 metra, gjylja bën gropë atë vend që kur u mat nga gjyqtaria ishte 17.57 metra nga pika e nisjes. “Të gjithë sa ishin aty,- kujton Emin Kosturi,- nuk i besonin syve dhe realitetit të ri të krijuar nga puna jonë shumë e madhe dhe plot sakrifica”. Do të vinin garat ndërkombëtare organizuar në Zenicë të Bosnje Hercegovinës, që Adriatiku t’i jepte edhe një dorë të ndjeshme rekordit të tij të ri. Gjylja sërish tërbohet. Ishte 17.57 metra dhe bëhet 17.93 metra. Atëhere Emin Kosturi me djalin e tij vendosi: Tashmë duhet të kalohet kufiri i 18 metrave. Mjaft më me 17 metra dhe nëndarjet e saj. Dy vite punë. Dy vite përgatitje fizike, teknike dhe atletike. Ditë me temperatura të larta, në acarin e dimrit, në të ftohtit që të pret brinjët dhe dyshja Kosturi – Hoxha nuk iu nda punës, pasionit. Gjithnjë zotimet që kanë marrë i kanë kthyer në realitet. Dhe tani sfida ishte deklaruar. “Në Londër duhet të shkojmë me 18.50 metra”,- thotë Emin Kosturi duke ngarë nga angazhimet më të pabesueshme të atletikës shqiptare.

Çfarë ndodhi më 1 maj në Tivar?

Tetë rekorde kombëtare. Po përgatitej i nënti, më i veçanti, më nxitësi dhe frymëzuesi. Në kulmin e përpjekjeve për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi në Londër, dalin ca faqezinj që në vend që ta nxisin djalin drejt qëllimit të mirë, i heqin “bukën”- financat dhe me cinizëm sikur thonë: Tani kape po deshe Londrën ti! “Nuk u tutëm,- flet Emin Kosturi. Falenderojmë gazetën Dyrrah që ishte e para që ngriti zërin kundër padrejtësisë që na bënë, kur na hoqën bursën olimpike. Një Zot e di përse ndodhi kjo”?! “Ju nuk keni për të ecur më na thonin. Keni dy vjet që qëndroni në vend”,- tregon trajneri i atletit. “Ne ishim betuar, se do të tregonim se çfarë ishim në gjendje të bënim. Adriatiku, ka shumë emocion në garë dhe humbet shumë nga rezultatet që ka kapur aktualisht në stërvitje. Po të them një “sekret” dhe mos e bisedo me njeri. Në stërvitje kemi arritur edhe 19.20 metra. E di ti këtë?!”,- rrëfen Kosturi.

E martë, 1 maj 2012. Në Tivar të Malit të Zi, shumë atletë nga i gjithë Ballkani. Më të mirët ishin mbledhur atë ditë atje. Adriatik Hoxha bëri 6 hedhje. Ja grafiku i pesë hedhjeve: 17.68, 17.65, 17.66, 17.75, 17.70 metra. Flet sërish Kosturi: “Tek e fundit u ndalëm pak. E motivova jashtë mase. E orientova për të kryer një lëvizje teknike, për të pasur përqendrim psikologjik dhe për të qenë sa më i qetë. Dhe hedhja e gjashtë na nderoi, na zbardhi faqen, na bëri shumë të gëzuar”. Gjyqtaria njofton: Adriatik Hoxha i Shqipërisë 18.14 metra. Oh çfarë rezultati! Për herë të parë kalohet 18 metërshi. Medalja e bronzit, por mbi të gjitha u fitua medalja e optimizmit dhe e bindjeve për të ecur edhe më tej, për të mos u ndalur, për të kapur botën këtu. Ky rezultat e vendos Shqipërinë tonë në vendin e 37-të në Europë nga 54 shtete dhe në botë lëmë prapa 130 shtete.

Historia nuk mbaron këtu

Gjylja shqiptare nga 9.70 metra rekordi i parë i fiksuar në vitin 1929 nga vlonjati Ymer Sharra, kalon në vitin 1933 10.60 metra nga Kol Trebicka. Më tej rekordi lëviz drejt Shkodrës me 11.20, vendosur në vitin 1934 nga Sandër Kraja dhe në vitin 1950 vjen në Tiranë nga Agim Çaçi me 11.23 metra. Shaban Zeneli i Dinamos e përmirëson në 13.22 në vitin 1953. Më pas del në skenë i madhi atlet i Tiranës Ramazan Driza që e shtyn dukshëm gjylen dhe rekordin. Në vitin 1960 gjylja në krahët e Drizës fillon me 14,42 metra dhe mbaron me 16.37 metra. Arben Gugushka e përmirëson në vitin 1984 me 16.52 metra derisa tani e merr në dorë flamurin e rekordeve durrsaku Adriatik Hoxha. “Deri në gusht kur fillojnë lojrat,- thotë Emin Kosturi gjylen kemi në plan ta çojmë në 18.50 metra dhe të përfaqësojmë Shqipërinë këtu. Por më pas, mbajeni mend deklaratën timë. Në janar të vitit 2013 gjylja e hedhur nga Adritiak Hoxha do t’i kalojë kufijtë e 19 metrave”. Ky rezultat e vendos Shqipërinë tonë në 12–shen më të mirë të botës. Ju kujtoj që Adriatiku është vetëm 22 vjeç. Hedhja e gjyles mund të vazhdojë në mënyrë cilësore deri në moshën 35-36 vjeç dhe kuptohet qartë se çfarë kemi në plan të bëjmë”.

Jo qarje, por përkrahje

Ky është pozicioni i palëkundur i juristit të ri Adriatik Hoxha dhe i trajnerit të tij pasionant dhe gjithnjë kërkues Emin Kosturi. “Ne nuk jemi mësuar të qahemi,- flet Adriatiku,- sepse po të ishte kështu s’do të kishim ardhur deri këtu. Por ky sport kërkon shumë shpenzime. Rezultatet e larta do të thonë shumë harxhime, shumë shpenzime, shumë plane dhe ambicie, shumë stërvitje dhe sakrifica. Derisa ne premtojmë dhe po e mbajmë fjalën, më e pakta që mund të bëhet në këtë rast është vetëm mbështetje, vetëm përkrahje. Rekordet që po thyejmë janë një imazh i shkëlqyer i Shqipërisë time, i flamurit tonë të përbashkët, krenari edhe për Durrësin tonë. Prandaj do të kërkonim mbështetje, mbështetje që t’ju nderojmë me rezultatet dhe arritje të reja. Unë nuk dua ta besoj, se vendi im s’do të më mbështesë dhe të më bëjë të konkuroj me ndonjë flamur të shteteve të tjera. Ne stërvitemi në kushte primitive. Në gjol dhe barishte, në ferra dhe driza. Prandaj na qendroni në krah, Bashkia së pari e pas saj bizneset dhe afaristët. Edhe shteti të bëjë më shumë. Kam parasysh këtu Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, KOKSH-in, Federatën Shqiptare të Atletikës etj. Kemi nevojë të stërvitemi edhe jashtë. Jemi në një stad pune që pas çdo gare fshihet një rekord i ri, një krenari e re. Jo, jo, ne nuk qahemi. Por përkrahjen e duam”.