Teuta konsiderohet si surpriza e Kategorisë Superiore në sezonin e fundit. “Djemtë e detit”, nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi, u renditën në vendin e tretë, duke u kualifikuar në Kupat e Europës. Por, “martesa” e teknikut të ri me Teutën do të vijojë dhe pas mbarimit të sezonit dhe Shkëmbi ka nisur menjëherë nga puna. Në kampin durrsak pritet të zbarkojnë disa futbollistë, nga të cilët tekniku do të zgjedhë elementët më premtues.

Shorti i Ligës së Europës do të hidhet më 19 qershor dhe deri atëherë duhen vënë piketat për lojtarët që do të marrin pjesë në këtë kompeticion.Ashtu si në Superiore, të gjithë janë sy e veshë nga Teuta, ku shpresohet ndonjë surprizë në arenën europiane. Ndërkohë që futbolli i luajtur uli siparin, tashmë “topi” kalon nga fusha e blertë në presidencat e skuadrave. Drejtuesit dhe stafi teknik pritet të rindërtojnë Teutën për sezonin e ardhshëm për Kupat e Europës dhe për sezonin e ri.

Ndoshta ditët në vijim, te Teuta bordi drejtues do të nisë të zbulojë edhe përforcimet para të skuadrës, ku synohet një ekip me perspektivë dhe konkurruese për të dy frontet, kampionat dhe Kupë. Pritet që disa prej lojtarëve aktualë të skuadrës durrsake nuk do të jenë pjesë e saj në sezonin e ardhshëm.Sikurse u pa edhe në përballjen e fundit të kampionatit, trajneri Shkëmbi aktivizoi shumë lojtarë të rinj, të cilët me shumë gjasa do të jenë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm.

Për Teutën kampionati u mbyll me fitoren në shtëpi me Laçin, e cila i mundësoi Europën. Te Teuta priten ndryshime rrënjësore në radhët e grupit të lojtarëve që mbyllën sezonin e fundit, ndaj një pjesë e këtyre futbollistëve nuk do të jenë në skuadër për sezonin e ardhshëm. Mësohet se drejtuesit e klubit aktualisht po punojnë për përzgjedhjen e disa lojtarëve cilësorë që do të jenë pjesë e Teutës, jo vetëm për Europë, por dhe për sezonin e ri.Largimet kanë nisur prej ditësh nga skuadra.

Një pjesë të mirë të lojtarëve u ka përfunduar kontrata që i mbante lidhur me Teutën dhe presin të diskutojnë me presidentin për të mësuar të ardhmen e tyre. Burime nga skuadra durrsake theksojnë se disa lojtarë e kanë të pamundur që të vijojnë sërish me “djemtë e detit”.Gjithsesi, baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në të tria repartet: mbrojtje, mesfushë dhe sulm.

Në ditët në vazhdim lojtarët që u ka përfunduar kontrata pritet të takohen me drejtuesit më të lartë të klubit, për të diskutuar mbi të ardhmen e tyre.Skuadra ka marrë pushimet dhe tashmë angazhimet kanë kaluar te drejtuesit e skuadrës, të cilët prej ditësh po punojnë në drejtim të seleksionimit të lojtarëve që priten të largohen. Elementet që do t’i bashkohen skuadrës përgjatë merkatos verore, po marrin një vëmendje të madhe nga klubi, ku pritet të afrohen lojtarë me eksperiencë.

Në Durrës ka nisur të mendojnë për merkaton dhe nuk është çudi që brenda kësaj jave të ketë largime, por edhe afrime të bujshme. Ditët e fundit qarkullojnë disa emra si përforcime të mundshme të Teutës, duke filluar nga ish-kapiteni Rustem Hoxha, Blerim Kotobelli, i cili ka qenë edhe më parë pjesë e durrsakëve, braziliani Elton Kale apo sulmuesi Ismael Dunga. Mirëpo, në klubin durrsak nuk konfirmojnë deri më tani asnjë prej tyre.