Në prag sfide ndaj Kastriotit, e cila pritet të zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit të Kamzës me fillim nga ora 13:45, në konferencë është shfaqur mesfushori i Teutës, Albano Aleksi i cili foli për këtë ndeshje:

Vllaznia – “Mendoj se ndeshja me Vllazninë nuk shkoi mirë në tërësi, pasi e kishim përgatitur në mënyrë tjetër. Pavarësisht çdo gabimi, duke nisur nga unë, ndikojnë shumë arsye. Duhet ta fitonim ndeshjen direkte, ose të paktën të dilnim barazim. Vllaznia nuk vodhi asgjë, e meritoi, por në një mënyrë ndryshe për shkak se ne nuk dhamë asgjë në fushë. E kemi lënë pas krahëve dhe e treguam në ndeshjen me Bylisin.”

Kastrioti – “Jemi një ekip në letër dhe në emra lojtarësh më lart se Kastrioti, madje më lart se çdo ekip tjetër i kampionatit shqiptar, pavarësisht se jemi të dytët me 9 pikë nga Vllaznia. Koha do e tregojë se kush e meriton të dalë kampion. Shpresojmë të jemi ne ata, pasi e meritojmë dhe e kemi treguar.”

Teuta – “Është sezoni im i dytë këtu dhe ndihem mirë. Shpresoj të fitoj titullin kampion. Sezonin e kaluar ngritëm dy kupa, që më ndihmuan shumë si sportist. Shpresoj të jap më të mirën time dhe të marrim titullin kampion.”

Barazimet shtëpiake – “Është diçka psikologjike. Vjet ishim nga ekipet më të forta në fushën tonë, nuk ndodhte të humbnim në Durrës. Nëse humbnim do të ishte një dështim, pasi kishim shumë besim te vetja. Edhe sivjet kemi, por besoj se mund të ndihemi më rehat kur luajmë jashtë. Në Durrës ka presion nga tifozët, duan që në fillim fitore. Edhe ne kemi presionin tonë, pavarësisht se kemi lojtarë me eksperiencë. Kjo është arsyeja pse nuk fitojmë çdo ndeshje në Durrës.”

Goli – “Së pari si sportist dua që Teuta të arrijë atë që do, Pastaj vjen objektivi personal. Uroj ta shënoj në ndeshjen më decizive dhe të fitojmë.”, përfundoi Albano Aleksi.