Amaneti i Hercekut: Ribëni basketbollin e femrave

21/04/2012 - 00:00

 

Tradita e bukur e basketbollit të femrave në Durrës ka vite që ka humbur plotësisht. Nostalgjikët e asaj periudhe, ata që i dhanë shpirtin dhe zemrën këtij sporti kërkojnë ringritjen e këtij sporti sërish. Deri tani ka rezultuar e pamundur gjetja e vajzave të reja të apasionuara pas këtij sporti. Përsa kohë nuk kanë ekipin e tyre, sportdashësit durrsakë kanë birësuar Apolloninë e Fierit.

E mërkurë, 18 prill 2012! Në orën 17.00, në pallatin e sportit që mban emrin e mjeshtrit të sportit Ramazan Njala, filloi ndeshja ndërmjet dy ekipeve: Apollonisë dhe Tiranës. Mbaroi në orën 18.30. Fitoi Apollonia e Fierit 78-53. Ky ballafaqim ndërmjet dy ekipeve të basketbollit për femra, vlen për ndeshjet e gjysmëfinaleve të play off-it.

Kush fiton 2 apo 3 ndeshjet e planifikuara, luan me fituesen e çiftit Flamurtari – Kamza Basket. Por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, se sa ngacmimi nëpërmjet kësaj dukurie të fiksuar në 18 prill 2012 në “Ramazan Njala”. Çfarë ka ndodhur? Në atë pallat të boshatisur, pasi mungonte “kripa e gjellës” ekipi vendas Teuta, munda të fiksoj këto emra mbi të cilat lidhen fort impresionet e mia. Ata janë: Niko Hercek, Bujar Shehu, Jorgji Shundi, Gjon Luli, Alketa Semanjaku, Enisa Semanjaku, Mirza Alibega dhe Ebi Dishnica.

Në mos gaboj, pasi statistika dhe kujtesa në këtë pikë janë të lëkundura, mund të jenë ndoshta dy dekada (ndoshta pak më shumë), që pikërisht në këtë pallat të famshëm të lojrave me dorë në Shqipëri, por edhe ku janë shkruar faqe të arta të historisë së paharruar të basketbollit durrsak, të mos kem shkelur për të parë një ndeshje kësisoj basketbolli për femra.

Argumenti është gjëja më e lehtë që na ndihmon në këtë rast: Teuta jonë, lozonjarja e dikurshme e basketbollit të femrave, është fshirë nga harta e sportit të koshit shqiptar. Këtu pra vërtitet kjo mungesë, tek 20 apo 22 vite. Shkurt, përkon me kohën e tranzicionit shqiptar.

Në emergjencën totale që përfshiu Shqipërinë si nga ana ekonomike, shoqërore, psikologjike dhe politike, këtu mbyllet edhe kapitulli i përfaqësimit të Durrësit në basketboll për femra. Të të thoshte dikush në vitet 60-të, 70-të apo edhe 80-të, se këtij basketbolli një ditë do t’i vijë fundi, mund të trajtohej më shumë se herezi.

Duam apo nuk duam ta pranojmë apo mos ta pranojmë fenomeni i ndodhur, bash është i dukshëm dhe i qartë si drita e diellit. Teuta nuk ka pra basketboll për femra. Dhe sërish më shfaqet: 18 prilli i vitit 2012. Kemi 12 vite që jemi në shekullin e 21-të dhe s’kemi mundur ende të bëjmë 10 femra, që të veshin nga një fanelë ku të shkruhet: Teuta e Durrësit.

Retrospektiva

Në mungesë të një historie të shkruar të basketbollit të femrave (fatkeqësisht kjo mungon në të gjitha sportet), logjikën e shkrimit do ta ilustrojmë me fakte që shkunden lehtë nga memoria dhe i shtojnë më shumë ngacmime njërit prej paradokseve më të prekshme të sporteve të Durrësit: zhdukjes së basketbollit të femrave.

Është rasti të përulem deri në tokë, para atyre vajzave pasionante të Durrësit tonë, që mbase skepticizmi apo varfëria e gjykimit të civilizuar, i dëmtoi padrejtësisht moralisht. Me nota sentimentalizmi të mallit dhe respektit të pakufi për ato dhjetra e dhjetra vajza që lanë peng rininë e tyre në rrjetën e koshit të basketbollit, më duhet të përmend disa prejt tyre: mjeshtren e merituar të sportit, të paharruarën Kaliroi Rizi; Diktere Mustafaraj, mësuesen tonë të respektuar; Olimbi Grashi; Varvara Theohari; Zyhra Babuna; Marjuça Boshnjaku e disi më vonë edhe Flutura Rekën etj. etj.

Dhe do të vazhdojmë të shënojmë emra të tjerë që i përkasin viteve 70-të, duke kulmuar me trofeun e regjistruar në vitin 1975, kur Lokomotiva e Durrësit fitoi Kupën e Republikës. Është i vetmi sukses i këtyre niveleve, duke bashkuar njëherazi si kampionatin kombëtar, ashtu edhe Kupën e Republikës.

Dhe kjo “kurorë” lavdie përbëhet nga këto “lule”: Zhani Averiku; Aleksandra Begovi; motrat e famshme Veterniku – Xhuliana dhe Shpresa; Donika Belliu; Hanza Rrogozhina; Rajmonda Hysenbelli dhe Engjëllushe Arapi. Dhe ai që e ndërtoi këtë lavdi është Niko Hercek, nga talentet më të spikatura të basketbollit durrsak, i cili pa e tepruar mbetet në kufijtë e legjendës me atë thënien emblematike popullore: ”Niko Hercek, i bën koshat pa cek”. Përkimi vjen tejet interesant dhe origjinal, kur vështroj si në ëndërr, sikur t’i kish zgjedhur ndokush enkas me dorë ....

Për Niko Hercekun dhe të tjerët

Eh Herceku ynë! Sapo kishte ardhur nga Patra e Greqisë në vendlindje. Ishte i interesuar për veprimtaritë sportive në Durrës. Kishte marrë vesh se luhej pikërisht kjo ndeshje basketbolli, në atë të mërkurë të 18 prillit 2012.

Kishte lënë të shoqen Ritën në shtëpi dhe e mbajti frymën në pallatin e sportit, pikërisht në atë vend ku, në vitin 1975, udhëhoqi drejt një suksesi të paparë, më të mirat e basketbollit shqiptar të klubeve.

“Kam ardhur të shikoj Antonin, të vetmin fëmi që kam. Punon tek Qarku. Ka lidhur jetën me vajzën durrsake Nevila Kalanë. Kam marrë edhe Ritën. Që të dy kemi kaluar dhe kalojmë peripeci shëndetësore. Jetojmë që nga viti 1993 në tokën greke. Do të qëndroj pak dhe do të iki. Erdha të puth parketin, të prek hekurat dhe rrjetat e koshave, të ulem si dikur në këto karrike plastike dhe të çmallem me këtë mjedis ku kalova pjesën më të madhe të jetës. Mua më duket se salla nuk është bosh. 2000 durrsakë po thërrasin në një kor gjigand fjalët aq magjike për të gjithë, të ndara aq ritmikisht në rrokje: Lo-ko-mo-ti-va”,- më tha gjigandi i basketbollit të Lokomotivës, Niko Hercek, dhe filloi të ngashërehej. “Kam mall për të gjithë,- më tha ky kalorës i basketbollit durrsak,- por më vjen keq gjithashtu miku im, se ende nuk po e bëjmë basketbollin e vajzave, mburrjen tonë të dhjetëra viteve”.

Kur mbaroi ndeshja, jam ndeshur me një fakt tjetër prekës, trajnerin e Tiranës në basketboll për femra 70 vjeçarin Bujar Shehu. Në gjyqtarinë kryesore dy figura të tjera të njohura: ish-gjyqtari ndërkombëtar i famshmi Xhoxh Shundi dhe Gjoni Luli ynë. U takuam që të katërt. Mall, kujtime, mbresa. Shkëmbyen mendime për basketbollin e femrave dhe kujtuan kohën kur ky sport lulëzonte.

Bujar Shehu po i thoshte Hercekut: - “Ndonëse i moshuar nuk do të ndahem nga basketbolli. Kam edhe Mirza Alibegën, e cila megjithëse është 44 vjeçe i jam lutur të mos largohet. Kam edhe lojtaren më të re, 15 vjeçaren Ebi Dishnica. Dua që tradita të kalojë në breza. Më vjen keq Hercek, që ende duhet ta bëjmë ne këtë kalim”. Ato pak minuta që qëndruan njëri me tjetrin, kohën më të madhe ia kushtuan basketbollit, traditave, ripërtëritjes, problematikës që ofron. Në gjykime sërish tradita po ndihmon. Ndër gjyqtarët më të mirë shqiptarë të basketbollit është Gentjan Cici, djali i arbitrit të mirënjohur Rudolf Cici. Dhe Shundi i mban afër, duke i mbrujtur me edukatën sportive dhe atë njerëzore. Pasi duhej të ikte, Herceku më afrohet sërish dhe më thotë: “Duhet të ribëni sërish miku im basketbollin e femrave. Po ta lej si një amanet. Thojani atyre që e kanë në dorë këtë gjë. Nuk i dihet, mbase nuk më bie rasti të kthehem sërish. Largohem me një brengë, që nuk e di ç’të të them...”!

Ju kujtohet Kaliopi Semanjaku?

Ja që në Fier, nuk janë bërë mbarë të kenë një pallat sporti si në Durrës. Është ky shkaku që Federata Shqiptare e Basketbollit, ia kaloi Durrësit ndeshjet e Apollonisë. Me shaka disa sportdashës durrsakë, të mësuar thuajse tërë këtë pjesë të vitit me vajzat fierake thonë: Apollonia e Durrësit.

Dhe mbase fieraket e koshit tërheqin këmbën zvarrë siç thotë popullit, t’ia bëjnë mbarë Teutës që të krijojë përfaqësueset e saj të basketbollit. Kur u njoha me përbërjen e ekipit të Apollonisë, si shkrues i vjetër i sportit më tërhoqën vëmendjen dy basketbolliste me mbiemër të njëjtë: Alketa Semanjaku, lindur me 22 tetor 1976 dhe Enisa Semanjaku e 11 qershorit 1988. E para 36 vjeçe dhe e dyta 24.

Por ky mbiemër është shumë i njohur, sepse në fundin e viteve 60-të dhe në vitet 70-të në basketbollin fierak dhe atë shqiptar mbretëronte Kaliopi Prifti (Semanjaku). Dhe ndërsa luante lindi në “lojë” në kohë të ndryshme dy vajzat e saj, basketbollistet e tanishme të Apollonisë: Alketën dhe Enisën.

Edhe për këtë fakt diskutuam atë ditë me Niko Hercekun dhe Bujar Shehun. “Dardha bie mbi dardhë” dhe Apollonia ndonëse i zhvillon ndeshjet në Durrës, u jep dy leksione njëherazi dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, Tiranës dhe Durrësit. Tiranën 25 herë kampionen e Shqipërisë e mund me 25 pikë diferencë dhe Teutës i ka “zënë vendin” brenda në shtëpinë e saj. Dhe kur? Pikërisht në atë të mërkurë të 18 prillit 2012.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

I kënaqur për pikët por edhe për lojën që zhvilloi skuadra e tij në pjesën e dytë.

Teuta bën detyrën, mposht 1-0 Flamurtarin e vendit të fundit në Elbasan Arena dhe ngjitet përkohësisht e vetme në krye të Kategorisë Supe

Juventusi ka ndjerë efektin e blerjes së Cristiano Ronaldos jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në marketing, pasi ka rritur ndjeshëm sh

Robert Levandovski është padyshim një nga sulmuesit më të mirë të momentit në rolin e tij.

Një thesar i vërtetë, si askush në Europë.

Ish-trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, është akuzuar nga një menaxher që akuzohet për korrupsion, se ka trukuar një ndesh

Milani dhe Interi shkojnë përpara sëbashku, shumë kompaktë dhe me objektivin për të ndërtuar stadiumin e ri në zonën ku ndodhet aktualish

Ishin bërë të shpeshta, thuajse të zakonshme, grabitjet e shtëpive të futbollistëve në Madrid në kohën që këta të fundit ishin duke zhvil

Kampioni shqiptar i shtangës, Briken Calja, ka akuzuar ashpër nëpërmjet një reagimi  në rrjetet sociale institucionet shqiptare, që vazhd

Lionel Mesi ditën e djeshme, ka marrë çmimin “Këpuca e Artë”, të cilin e fitoi sezonin e kaluar.