Spanjë, 24 prill 2014 – Fitorja 1-0 në gjysmëfinalen e parë të Uefa Champions League përballë Bayern-it ka lumturuar së tepërmi trajnerin e Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, me italianin që vlërësoi së tepërmi paraqitjen dhe përkushtimin e futbollistëve të tij.

“Jam i kënaqur me gjithçka. Jam i kënaqur me rezultatin, por edhe me përkushtimin e futbollistëve pasi ishte një ndeshje shumë e vështirë. Kemi luajtur mirë dhe kemi ditur të vuajmë. Në fillim të takimit ishim shumë të ndrojtur dhe hasëm vështirësi, ndërsa në pjesën e dytë arritëm ta kontrollonim më shumë lojën. Pavarësisht se gjatë pjesës më të madhe u mbrojtëm, bëmë kundërsulme shumë të mira dhe mendoj se e merituam fitoren”,- tha Anceloti.

Më tej Ancelotti foli edhe për vendimin e tij për të zëvendësuar Cristiano Ronaldon.

“Ishte një vendim që e kishim marrë përpara ndeshjes. Nuk dëshironin të merrnim rreziqe të tepërta përsipër pasi nëse do ta linim Ronaldon të luante deri në fund ai mund të kishte një lodhje të madhe të muskulit. Megjithatë jam shumë i kënaqur me atë që ai dha në fushë. Edhe pse nuk ishte në 100% e tij Cristiano u sakrifikua shumë. Mendoj se në kthim ai do të jetë shumë më mirë ashtu si edhe Bale”,- deklaroi Anceloti.

Fitorja 1-0 i jep besim Realit, por nuk i garanton kualifikimin në finale dhe trajneri italian edhe pse ka besim te skuadra e di shumë mirë që në Gjermani do të jetë një sfidë shumë e vështirë.

“Ndeshja e kthimit do të jetë shumë e vështirë. Në Gjermani duhet të luajmë po me atë dëshirë dhe besim siç bëmë në “Santiago Bernabeu”. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë atje por unë kam besim te skuadra ime”, – e mbylli deklaratën e tij Ancelotti.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/