Spanjë, 1 maj 2014 – Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka uruar Atletico Madridin për kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve. Strategu italian theksoi se Atletico e meritoi finalen, ku do të ndeshet me Realin më 24 maj në Lisbonë.

“Atletico e meritoi finalen sepse luajti më mirë se Chelsea. Në Madrid, njerëzit janë të lumtur për këtë derbi në finale. Është një finale ku nuk ekziston një favorit. Atletico është duke u paraqitur shumë mirë në La Ligë, do të jetë një finale interesante”, deklaroi Ancelotti.

Italiani është i lumtur me lojën e skuadrës së tij në Allianz Arena ku fituan me rezultat 4:0 në ndeshjen e kthimit kundër Bayern. 

“Pa dyshim se jam shumë i lumtur. Ishte një mbrëmje fantastike dhe kualifikimi i Realit në finalen e Ligës së Kampionëve pas një kohe të gjatë është motiv krenarie”, shtoi ai. Ancelotti në fund zbuloi se do të mbetet në Madrid. “Do të qëndroj në Real Madrid edhe në sezonin e ardhshëm”. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/