Usain Bolt është befasuar kur në derën e shtëpisë së tij në Sidney të Australisë, ka trokitur mëngjesin e sotëm antidopingu, me një kërkesë për të kryer një test surprizë nga ana e Federatës Australiane të Futbollit. Ish-atleti xhamajkan, që po lufton ende për të siguruar një vend dhe kontratë si futbollist profesionist në A-League të Australisë, ka mbetur i befasuar nga kjo vizitë e papritur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, rekrodmeni i botës ka shkruar se ai ende nuk është një futbollist profesionist, ndaj kjo kërkesë e antidopingut australian është e habitshme: “Siç e dini, jam tërhequr nga atletika dhe po përpiqem të bëhem një futbollist profesionist. Por shihni se çfarë më ndodh, me vjen një kërkesë për të bërë një test surprizë antidoping. Si ka mundësi, unë nuk jam ende një futbollist profesionist? E keni seriozisht…?”

Bolt, rekordmen i botës në 100 e 200 metra, fitues i 8 medaljeve të arta olimpike, ka më shumë se një muaj që ka nisur të stërvitet me skuadrën australiane të Central Coast Mariners, me shpresën që të bëhet një futbollist profesionist. Në miqësoren e dytë, luajtur javën e kaluar, ai realizoi dy gola.

“Pyeta vajzën që erdhi për testin antidoping se përse duhet ta kryej atë, për sa kohë ende nuk kam firmosur me asnjë ekip. Më tha se jam një sportist elitar dhe që duhet të kryej kontrollin”, shkruan Bolt.