Futbollistët e Çelsit përdorin mikrovalën për të ngrohur këpucët e tyre përpara ndeshjeve. Skuadra shpreson që kjo armë sekrete të përkthehet në këmbë të ngrohta në betejën e tyre për t’u renditur mes katër vendeve të para këtë sezon.

Mikrovala është tashmë pjesë përbërëse e dhomave të zhveshjes në “Stamford Bridge”, në të cilën ngrohen të gjitha këpucët e futbollistëve përpara se ata të zbresin në fushë.

Ngrohja në mikrovalë e bën lëkurën më fleksibël dhe komode për t’u veshur dhe më pas ajo qëndron më mirë pas këmbës. Një burim i brendshëm i klubit shpjegoi për “The Sun”:“Këpucët moderne të futbollit pa lidhëse duket se kanë një lëkurë më të ngushtë që puthitet dhe ka një efekt më shtrëngues në këmbë sesa ato me lidhëse.

Kështu që kur bën ftohtë, ato mund bëhen me të vërtetë të forta, goxha të ngurta dhe të vështira për t’u veshur, sidomos për herë të parë.Lojtarët i vendosin këpucët e tyre në mikrovalë për një apo dy minuta dhe pastaj ato janë mjaftueshëm të buta.

Mikrovala është një shtojcë e çmuar në pajisjet e tyre. Dhe kjo nuk ka të bëjë me përkëdheljen e milionerëve të Premier Ligës, por sjelljen në formën më të mirë të këpucëve, duke i bërë lojtarët që të ndihen komodë dhe të luajnë sa më mirë që të jetë e mundur”.