Ndërkohë që e gjithë Europa nderon ish-sulmuesin argjentinas Emiliano Sala, që humbi jetën pas një aksidenti ajror, një ngjarje e rëndë është verifikuar në Premier League. Në ndeshjen Southampton-Cardiff, fituar 2-1 nga miqtë, dy tifozë të ekipit vendës u tallën me ata miq. Nga tribuna qendrore, dy tifozë të Southampton imitonin gjestin e një aeroplani.

Kjo skenë e turpshme, 3 ditë nga gjetja e trupit të futbollistit në La Mansh, është filmuar nga kamerat amatore dhe është dënuar rëndë. Klubi i Southampton, përmes një deklarate për shtyp, konfirmon se 2 tifozë janë arrestuar e bashkë me ta i është dorëzuar policisë edhe dokumentacioni i nevojshëm për hetim.

“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me policinë për të evidentuar raste të tjera të tilla të turpshme karshi tifozëve të Cardiff. Kjo sjellje e shëmtuar është e patolerueshme. Klubi do të mbajë qëndrim karshi tifozëve”.

Mësohet se dy tifozët janë lënë të lirë nga policia, por klubi i Southampton u ka ndaluar hyrjen në stadium për 3 vitet e ardhshme. Cardiff është skuadra ku Sala duhej të luante, pas transferimit nga Nantë, në merkaton e janarit. Por avioni ku ai po udhëtonte u rrëzua dhe lojtari humbi jetën.