ANGLI, 08 mars 2013 – Futbollisti Carlos Tevez rrezikon gjashtë muaj burgim, pasi u arrestua ditën e enjte duke drejtuar makinë e tij pa patentë. 

Sulmuesit të Manchester City iu hoq patenta në datën 16 janar, pasi injoroi disa lajmërime të policisë për nevojën e ripërtëritjes së saj sipas ligjit anglez, pas skadimit të patentës së tij të mëparshme.

I ndaluar në drejtim me një patentë të skaduar në të shkuarën, tashmë Tevez konsiderohet si përsëritës dhe përballet me mundësinë e dënimin më të lartë të këtyre rasteve, prej gjashtë muajsh heqje lirie dhe një gjobë deri në 2 mijë stërlina.

Argjentinasi u fotografua më parë gjatë javës duke mbërritur i vetëm në fushën stërvitore, ku për shkak të pamundësisë për të drejtuar, shoqërohej vazhdimisht nga bashkëshortja e tij.

Pasi u mbajt disa orë në komisariat, Tevez u la i lirë pasi nuk mund të gjendej një përkthyes spanjishte. Ai është i detyruar të rikthehet për t’u marrë në pyetje ditën e martë.