Milan vuan jo pak, por ia del të marrë një tjetër 3-pikësh me mjaft vlera në garën për një vend në zonën Champions, pasi mposhti Genoan me rezultatin 2-1 në “San Siro”.

Pa Ibrahimoviç të pezulluar, pesha e sulmit ra mbi Leaon, por portugezi bëri shumë pak për të shqetësuar mbrojtjen e skuadrës ligure, ndërsa golin e avantazhit e gjeti kroati Ante Rebic, me një gjuajtje mjaft të bukur nga distanca, në minutën e 13’ të sfidës.

Gjithsesi pjesa e parë do të mbyllej në barazim, pasi pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, Fikayo Tomori harroi Destron në zonë dhe sulmuesi italian gjuajti saktë me kokë e mposhti Donnarummën.

Pjesa e dytë u bë edhe më e komplikuar për kuqezinjtë, që po kërkonin me ngulm golin e avantazhit, por hasën në një rreshtim të ngjeshur mbrapa të ligurëve, që lanë shumë pak hapësira për të kërcënuar.

Megjithatë goli i avantazhit erdhi në minutën e 68’, kur pas një krosimi në zonë të Calhanoglu, ishte sulmuesi Gianluca Scamacca që devijoi topin në mënyrë të pafat me shpinë në rrjetën e portës së tij dhe theu për herë të dytë portierin Perin.

Ky i fundit pak minuta më vonë bëri një grushtim mjaft të bukur pas gjuajtjes së Calhanoglu, ndërsa më pas ishin Kjaer e Tomori që u mohuan golin gjenovezëve, duke hequr topin mbi vijën fatale në dy gjuajtje radhazi.

Me këtë fitore Milani ngjitet në kuotën e 66 pikëve në vendin e dytë, duke shkuar edhe më pranë sigurimit të një vendi në zonën Champions, që është edhe objektivi i mbetur i klubit këtë sezon.