Kur shkeli për herë të parë tek “Bernardina Qeraxhia”, Azgan Zeka ishte i gjatë 1.85 m dhe peshonte 90 kilogram. Trajneri i tij, Emin Kosturi, shikon tek atleti i ri nervin dhe grintën e garës. Është shumë i “egër” me gjylen. E shoqëron me një forcë karakteri shumë origjinal dhe në hedhjet sipas Kosturit, të duket sikur e copëton gjylen me dhëmbë…..             

Duket se Teuta është me fat, që në sportet e hedhjeve po ofrohen gjithnjë e më shumë atletë pikantë. Tradita është e hapur, teksa vendos në faqen e parë të saj të famshmin Rifat (Reuf) Kazazi e duke arritur tek olimpisti Adriatik Hoxha. Durrësi është me fat gjithashtu, që me hedhjet punon ndër specialistët më në zë në atletikën shqiptare Emin Kosturi, i cili ka aftësinë të zbulojë sportistë që garantojnë ecuri dhe perspektivë. Një ndër to është edhe Azgan Zeka, fantastik në të dhënat paraprake. I datëlindjes 2 janar 1993, Zeka është në vitin e tretë në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qeraxhia”. Kur mbaroi arsimin 9-vjeçar në shkollën “Isuf Ferra”, Azgan Zeka vjen tek ustallarët e shkollës së fiskulturës në Durrës. Nuk ishte e nevojshme t’i nënshtrohej konkursit, sepse të dhënat e tij fizike janë shumë të veçanta. Kur shkeli për herë të parë tek “Bernardina Qeraxhia”, Azgan Zeka ishte i gjatë 1.85 m dhe peshonte 90 kilogram. Krejt i pamësuar në hedhjen e gjyles, ai u thith menjëherë nga Emin Kosturi. “Varet se si punon me sportistin,- shprehet Kosturi.

Duhet të kesh marifete për ta tërhequr dhe t’ia lezetosh sportin. Kështu veprova edhe në rastin e Azgan Zekës. Sapo e pashë atë trup të prerë nga zoti, i kërkova të ndjekë sportet e hedhjeve sepse do të bëhej dikushi. Në kësi rastesh treguesit fizikë janë ato që të joshin. Dhe koha 3 vjeçare e punës, është e mjaftueshme për të thënë se Azgan Zeka është i lindur për hedhje dhe se e pret një perspektivë e shkëlqyer”. Është fat që në ekip Zeka gjeti Adriatik Hoxhën, zërin numër një të hedhjes së gjyles. Ai tanimë ndodhet në Londër, duke iu realizuar ëndrra e konkurimit në lojrat olimpike krahas mjeshtrave të mëdhenj të gjyles. Por të vijmë tek Azgan Zeka, i cili është në ëndrrën e lojrave olimpike të vitin 2016. Dhe i bie të jetë sa mosha e sotme e Adriatik Hoxhës dhe nuk është çudi që të ndeshemi me një fakt të pazakontë. Dy shtytës të gjyles të Teutës të përfaqësojnë Shqipërinë në evenimente të mëdha sportive, siç janë lojrat olimpike. Kur flitet e shkruhet për sportistë karriere, është e udhës të jepen shifra që argumentojnë forcën e talentit dhe pse jo edhe të çudisë.

Azgani i pa mësuar me gjylen, e kapi sferën që në fillim dhe e hodhi si një lodër fëmijësh. Befasia mbuloi ata që ishin prezentë atë ditë në këtë sfidë të parë. Gjylen 5 kilogramshe, muskujt e pa mësuar të Azganit e hodhën lëmshin e hekurt 9 metra. Krejt pa teknikë, por me inatin e të riut. Emin Kosturi ishte i gëzuar për “lëndën e parë” që i erdhi në derë, por njëkohësisht ishte i bindur që duhej shumë punë për t’i shkallëzuar karrierën gradualisht, njërit prej talenteve më të mëdha të hedhjeve. Vetëm një vit punë dhe Azgan Zeka doli i pari i Shqipërisë për moshën. Gjylja shkoi 6 metra më shumë nga ajo hedhje e ditës së parë. Me 15 metra në gjyle dhe 36 metra në disk, Zeka i Teutës doli kampion. Rivalët as dukeshin. Ashtu si Adriatik Hoxha që konkuron me vetveten edhe Azgan Zeka, s’ka të dytë në garat e tij. E kjo është një vështirësi e pamenduar, por që është i detyruar ta sfidojë dhe të vishet me sukseset. Kur mbushi 17 vjeç gjylja e Azganit shkoi edhe më tej: 16.30 m. Kampion as që nuk diskutohet.

Me 16 maj të vitit 2012, në kampionatin kombëtar zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa” Zeka ngjeshi rrëzë gushës gjylen me peshë 6 kilogram. E flaku atë 16.02 metra. Diskun edhe më shumë: 39.90 metra. Vetëm një vit më parë, kampioni i të rinjve Azgan Zeka e kishte flakur gjylen 14.57 metra dhe diskun 34.90 m. Avancimi është me metra. Ecuria është tejet e madhe dhe të mbush me krenarinë e një të ardhme gati gati të siguruar. Pyetjes tonë se a është pjesëmarrës në ndonjë garë të rriturish Azgan Zeka, Emin Kosturi i përgjigjet: “Për herë të parë garon me të rriturit në mitingun ndërkombëtar të Malit të Zi, organizuar me 1 maj 2012. Me gjylen me peshë 7 kilogram e 260 gram, atleti ynë i ri e fiksoi hedhjen ne 14.66 m. Për mua kjo është hedhje premtuese. Në pamje të parë duket se mbetet të shprehet më mirë, ndërsa duke ia njohur sekretin punës dhe cilësitë e Azgan Zekës, jam i mendimit se një Adriatik i dytë është me Teutën. Optimizmi shtrihet në kufij bindës, kur gjykoj se shumë shpejt të dy këta kampionë, do të bëjnë rivalitet dhe konkurencë njëri me tjetrin”. Trajneri është i kënaqur me punën e deritanishme. Ai shikon tek atleti i tij nervin dhe grintën e garës.

Është shumë i “egër” me gjylen. E shoqëron me një forcë karakteri shumë origjinal dhe në hedhjet sipas Kosturit, të duket sikur e copëton gjylen me dhëmbë. Stërvitjet nuk janë ndërprerë dhe Azgani është duke punuar në bazë të një plani të përcaktuar në detaje nga trajneri. “Ndonëse trajneri im Emini dhe Adriatiku janë në Angli,- thotë Azgan Zeka,- unë vazhdoj punën njëlloj sikur ata të ndodheshin në Durrës. Mezi pres datën 3 gusht dhe orën 10.00, sepse do të ndjek nëpërmjet ekranit hedhjet e shokut të ekipit Adriatik Hoxhës. I uroj shokut tim ta thyejë rekordin kombëtar dhe gara t’i shkoj sa më mirë. Sa më takon mua, kam ende punë të madhe për të bërë. Por Emin Kosturi më mbush me besim për hedhjet e mia të ardhshme. Dhe unë jam i bindur se do t’ia dal. Ashtu si në një garë çiklistike ku dyluftimet japin rezultate favorizuese, ashtu edhe unë me Adriatikun do t’i ngrejmë garat tona në nivele konkurruese. Kjo është në dobi të të dyve, të punës së jashtëzakonshme që po kryejmë”.

Për kuriozitet i kërkuam Emin Kosturit, treguesit e sotëm fizik të Azgan Zekës. Dhe reagimi i tij ishte: Është i gjatë 2.03m dhe peshon 110 kilogram. Adriatik Hoxha është i gjatë 1.98m dhe peshon 130 kilogram, por mosha e tij është tre vjet më e madhe se e Zekës. Edhe kaq mjafton për të kuptuar, se çfarë gjigandi po i ofrohet atletikës shqiptare. Dhe Kosturi tregon moton: gjatësi+forcë+peshë=mrekulli. Ecuria pritet të jetë interesante. Janë në vallë dy mjeshtra të gjyles. Njëri shumë i afirmuar, ndërsa i dyti sapo është “çelur”, por pret me padurim vijimësinë. Titulli i shkrimit, është përmbledhësi më i mirë i fjalëve që i kushtuam këtij talenti të spikatur: Azgan Zeka, azgan i hedhjeve.