Mançester Junajtid nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në transfertën belge ndaj Klyb Bryzh. “Djajtë e Kuq” kaluan në disavantazh fillimisht, megjithatë brenda pjesës së parë, Marsial riktheu baraspeshën e cila nuk ndryshoi deri në fund. Pavarësisht se Junajtid është i avantazhuar për kualifikimin, sërish rezultati ka lënë një shije të hidhur. Ndërkohë, pas ndeshjes trajneri Ole Gunar Solskjaer ka gjetur edhe arsyen e cila ndikoi më shumë në ndalesën e anglezëve.

“Ishte një ndeshje e vështirë kundër ndaj një ekipi të mirëorganizuar. Mendoj se nuk ishte në një nga ndeshjet më të mira që është parë. Por, ndikuan edhe kushtet e fushës dhe topi na e bëri edhe më të vështirë. Ishte i ndryshëm dhe i vështirë për t’u luajtur. Mund të merrni një edhe ta provoni. Është i lehtë”, u shpreh Solskjaer.