Janë luajtur ndeshjet e javës së 17-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Goga Basket ruan kreun e renditjes pas fitores 98-75 ndaj Tiranës, takim i luajtur në “Fahrie Hoti”, ndeshje e dominuar dhe fituar nga durrsakët.

Tirana tentoi të surprizojë, por pa forcën e duhur ndaj skuadrës së Gogës, një ekip më i kompletuar karshi bardhebluve, që qëndrojnë në vendin e katërt në renditje.

Mjaft dramatike ndeshja në Shkodër, ku Vllaznia u mund me 1 pikë, 89-88 nga Teuta pas kohës shtesë. Fitorja e skuadrës durrsake erdhi në sekondën e fundit të kohës shtesë, madje nga një gjuajtje nga distanca e Brown, që ngriu buzëqeshjen e tifozerisë shkodrane atëherë kur nuk e priste.

Koha e rregullt u mbyll 84-84 pas barazimit që vendasit arritën në sekondën e fundit, pas dy gjuajtjeve të lira. Vllaznia udhëhiqte edhe në shtesë me dy pikë, por koshi i Brown sekondën e fundit përmbysi shifrat dhe i dha një fitore të rëndësishme për renditjen e Teutës.