Liga e Kampioneve rikthehet këtë mesjavë për ndeshjet e 1/8 të finaleve, një fazë që do të shoqërohet me risi. Duke nisur nga ky moment, në evenimentin më të rëndësishëm evropian për klube do të përdoret sistemi VAR dhe sfidat që mund të ta shfrytëzojnë të parat këtë sistem janë Roma-Porto dhe Manchester United-PSG.Për përgjegjësin në sektorin arbitrar Roberto Rosetti, për përdorimin e sistemit VAR do të ndiqet protokolli i përcaktuar nga Bordi Ndërkombëtar, që parashikon ndërhyrjen e tij vetëm kur gabimet janë të qarta dhe në 4 raste: te golat, te penalltitë, te kartonat e kuq dhe te ngatërrimi i identiteteve të lojtarëve në rast të ndëshkimit me kartona.

Por jo vetëm kaq. Rosetti theksoi se gjatë procesit të rishikimit të një episodi në fushë, tifozët do të informohen nga komentatorët dhe televizionet që transmetojnë sfidat me anë të një grafike që do të shfaqet në ekranet e mëdhenj të stadiumeve në mënyrë që ata të kuptojnë vendimin që do të merret.Ndërkaq, sistemi VAR po përdoret në ligat më të rëndësishme të Evropës dhe kritikat në drejtim të tij nuk mungojnë, por për Rosettin kjo teknologji, edhe pse nuk është perfekte, do të ndihmojë arbitrat që të marrin vendime sa më të drejta gjatë zhvillimit të ndeshjeve të Ligës së Kampioneve.