Antonio Conte i kënaqet kualifikimit në gjysmëfinale të Europa League dhe lojës së skuadrës së tij, edhe pse e ka ndonjë rezervë të vogël për faktin që nuk e mbyllën ndeshjen më parë.

“Jemi të kënaqur, pasi bëmë një lojë të mirë. E kishim përgatitur si duhet ndeshjen dhe nuk e lamë Leverkusen ta qarkullonte topin i qetë.Bëmë çfarë kishim përgatitur në stërvitje. Ka një problem që e kam thënë edhe më parë, që duhet ta vrasim ndeshjen e të pushojmë pak. Nuk i lamë shumë shanse rivalit, por kishim shumë vetë dhe nuk shënuam më shumë se dy gola. I kishim mundësitë dhe më vjen keq”, tha fillimisht tekniku për “Sky Sport Italia”.

Më tej, Conte shton: “Djemtë treguan uri dhe ishin të vendosur të tregonin se po bëjnë diçka të rëndësishme. Tani mund të luajmë në gjysmëfinale të Europa League dhe jemi të kënaqur, por tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Duam maksimumin, t’i shkojmë në fund këtij turneu”.

Lukaku?

“Është e vështirë të flasësh për emra të përveçëm, kur i gjithë ekipi luajti mirë. Romelu po bën një sezon të shkëlqyer, i mbështetur nga ekipi, që e vë atë në gjendje të shprehet më së miri në aspektin individual gjithashtu. Jam i lumtur për të, meriton gjithçka. Gjithsesi duhet ta falënderojë edhe ekipin, që po e mbështet të bëjë sezonin më të mirë të karrierës.”

Rastet e humbura?

“Nuk mund të jem i zemëruar, por vetëm mund t’i përgëzoj këta djem për atë që kanë bërë në Serie A gjatë gjithë sezonit dhe tani në Europa League. Normalisht do punojmë të përmirësohemi. Do i tregojmë ekipit disa episode dhe kjo nuk bëhet për të gjetur kush e ka fajin, por për t’u përmirësuar për të ardhmen”, deklaroi Conte.