19 janar 2015 –  Fantastik! Vetëm kështu mund të cilësohet momenti i mrekullueshëm që po kalon fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo. Pas çdo ndeshje ylli i Realit të Madridit vazhdon të ngrejë emrin e tij lartë në regjistrat e rekordeve historik të golashënuesëve në Spanje. Portugezi me dygolëshin e tij përballë Getafes arriti shifrën e 28 golave në kampionat duke barazuar kështu Leo Messin, i cili fazën e parë të sezonit 2012-2013 regjistroi këtë shifer me një ndeshje më tepër se Cristiano. Atë sezon argjentinasi e mbylli me 46 gola në La Liga.  

Dygolëshi i realizuar ndaj Getafes e shndërron Cristianon golashënuesin më të mirë të madrilenëve për ndeshjet e luajtura jashtë fushe në ''La Liga'',  sepse me 89 gola ai ka parakaluar Raul Gonzalesin duke bërë që ky i fundit të jetë një kujtim i largët për tifozët ''los blancos''.

Lojtari më i mirë i vitit ka kaluar, gjithashtu edhe Carlos Alonso Santillana dhe tashmë gjendet në vendin e tretë të golashënuesëve më të mirë të historisë së Realit në të gjitha kompeticionet. Ronaldo me fanellën ''blanco'' ka shënuar 206 gola në kampionat, 21 në kupë, 57 në Champions, dy në  Superkupën e Europës dhe tre në Superkupën e Spanjës. Përpara numrit 7 të Realit janë vetëm dy mite të madridizmit.

 Alfredo Di Stefano i cili shënoi 307 gola për ekipin e Bernabeut, dhe Raul Gonzalez rekordmeni i klubit mbrëteror me 323.