Elseid Hysaj nuk largohet nga Napoli. Është ky vendimi i presidentit të klubit jugor, Aurelio De Laurentiis, i cili nuk ka aspak ndërmend të humbasë mbrojtësin shqiptar. Madje, siç raporton gazeta italiane “Il Mattino”, numri një i klubit po mendon edhe për rinovimin e kontratës së lojtarit, për të mos i lënë asnjë lloj hapësire çdo oferte që mund të vijë nga skaudra të tjera.

De Laurentiis po punon që Hysaj të firmosë një kontratë të re me një klauzolë shumë më të lartë se aktualja (50 milionë euro).Ish-tekniku i Napolit, Maurizio Sarri, pritet që shumë shpejt të marrë drejtimin e Chelsea-t dhe një ndër emrat kryesorë që ai kërkon të marrë me vete në Londër është pikërisht mbrojtësi kuqezi, me të cilin ka një bashkëpunim të hershëm që nga koha kur të dy ishin pjesë e Empolit.

Ky interesim i vazhdueshëm duket se nuk i pëlqen apsak presidentit De Laurentiis, i cili është gati ta blindojë 24-vjeçarin. Hysaj gjithashtu shihet si i pashitshëm edhe për teknikun e ri të Napolit, Carlo Ancelotti, i cili beson shumë tek aftësitë e shkodranit.