Pasi njoftoi tërheqjen nga futbolli i luajtur, Daniele De Rossi ka vendosur t’i futet rrugës së trajningut dhe po vijon të studiojë e të krijojë stafin e tij, në pritje të një shansi, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka bërë një rrëfim 360 gradë në një emision të televizionit “La7”.

Me çfarë merret De Rossi tani?

Tani jam një ish futbollist dhe një baba me kohë të plotë. Nuk jam i mërzitur, por shpresoj të mos zgjatë pafundësisht dhe jam disi i shqetësuar me atë që po ndodh në botë. Dua të bëhem trajner dhe kisha planifikuar të bëj një tur për të parë metodat e punës së trajnerëve të tjerë, por pandemia po më pengon. Mendoja se ishte thjesht një gjë kineze, por kam folur me miq te Boca Juniors në Argjentinë dhe më kanë treguar se për një gabim tamponi janë infektuar rreth 30 vetë staf e futbollistë.

Para pak ditësh Mancini shkroi në rrjetet sociale: A keni ndonjë ide si u sëmurët? Duke parë lajmet… Ky status i trajnerit të Kombëtares bëri shumë bujë dhe pati edhe nga ata që kërkuan shkarkimin e tij…

E njoh mjaft mirë Roberton dhe është një njeri për t’u marrë shembull për konceptet, stilin dhe elegancën e tij. Megjithatë këtë herë ai ka rrëshqitur në një lëkurë bananeje, por ka kërkuar ndjesë menjëherë. Kërkesa për dorëheqje apo shkarkim, më duken të tepërta. Edhe unë vetë jam i prirur t’u besoj atyre që kanë studiuar dhe dinë më shumë për këtë punë, por kur sheh virologët që flasin kaq shumë dhe shumë herë janë kontradiktorë, sigurisht që krijohet një farë konfuzioni.

A ka negacionizëm në sport?

Negacionizmi lind… Unë njoh një njeri brilant dhe sportiv, që kur luaja futboll, thoshte vazhdimisht se Juventusi fiton prej pushtetit, prej FIAT-it apo se ne vetë e linim të fitonte. Madje ishte edhe i bindur që ne nuk bënim kontrolle dopingu.

Sa tituj ka Juventusi?

Nuk e mbaj mend numrin e saktë, por meqë presidenti Agnelli dhe klubi bardhezi respektojnë rregullat, atëherë kanë dy tituj më pak sesa pretendojnë.

Si po të duken këto kampionate në periudhë pandemie?

Ai i vitit të kaluar ishte i falsifikuar për shkak të rrethanave. Milani ishte shumë dobët dhe Lazio po shkëlqente, por pas ndërprerjes ndryshoi gjithçka. Jam i sigurt që pa ndërprerjen, verdiktet do të kishin qenë ndryshe. Ky i këtij viti është kampionat i rregullt, por natyrisht me vështirësi të shumta për shkak të pandemisë dhe nuk do të kujtohet si një nga më të bukurit.

Motoja juaj e jetës?

Ku nuk arrihet me këmbë, shkohet me duar. Aty ku nuk arrihet me të mirë, shkohet me të keq.