Tri fitore radhazi për Teutën që përjeton një shkurt të begatë. Skuadra e Edi Martinit ka ditur të bëjë kthesën me sukseset ndaj Apolonisë, Skënderbeut dhe së fundmi ndaj Tiranës, për një seri rezultatesh që i mban në korsinë e duhur për luftën për titull.

Një prej lojtarëve më cilësorë të skuadrës e ndoshta dhe kampionatit, Dejvi Bregu, kërkon nga skuadra t’i japë vazhdimësi rrugës së nisur për të ngjitur shkallët në klasifikim: “Kanë qenë tri fitore të rëndësishme që ne i kemi kërkuar. Kemi zhvilluar lojëra të mira ndaj erdhën rezultatet. Shpresojmë që të kemi vazhdimësi.”

Në kampin bregdetar nuk fshihen, që nga fillimi i kampionatit kanë deklaruar objektivin për ta përfunduar këtë kampionat të parët, vlonjati shikon drejt kreut duke kryqëzuar gishtat edhe për ndonjë hap fals të Vllaznisë: “Asgjë nuk ka mbaruar, jemi në garë për titullin, shpresojmë që edhe me ndalesën e ardhshme të Vllaznisë të jemi në rrugë të mbarë.”

Në sfidën e radhës Teuta pret në “Niko Dovana”, këtë të premte, Kukësin, një rival që Bregu e vlerëson duke parashikuar një ndeshje të luftuar, natyrisht me shpresën që në fund fitorja t’i buzëqeshë skuadrës së tij: “Kemi beism tek aftësitë tona, pasi kemi ekip të mirë. Edhe Kukësi ka ekip të fortë dhe një trajner me eksperiencë.Shpresoj të jetë ndeshje e luftuar dhe në fund të fitojmë ne.”

Mungesa e golit te Teuta është diskutuar gjatë në këtë kampionat, megjithatë sulmuesi nuk është i këtij mendimi, duke kujtuar balancën e krijuar në skuadër me një mbrojtje të hekurt: “Nuk shoh ndonjë diferencë mes sulmit tonë dhe sulmeve të ekipeve rivale. Ky është opinion i të tjerëve, s’kam çfarë shtoj. Shpresoj që mbrojtja jonë të vazhdojë në këtë rrugë.”