Xhordan Pikford ishte autor i një ndërhyrje të ashpër ndaj Virxhil Van Dijk në derbin e “Merseyside”, me mbrojtësin, që dëmtoi ligamentet e gjurit dhe tashmë do duhet të operohet dhe të mungojë të paktën gjashtë muaj për Liverpulin. Mbrojtësi holandez është një nga më të mirët e Liverpul dhe lideri i skuadrës në mbrojtje dhe dëmtimi i tij është një goditje e madhe për skuadrën e Jurgen Klop.

Zemërim të madh kanë shfaqur tifozët e Liverpul ndaj portierit të Everton, Pikford, i cili as nuk u ndëshkua për atë ndërhyrje të egër ndaj yllit holandez. Përveç ofendimeve të shumta, që në ditët e stome janë diçka normale në rrjetet sociale, bëhet me dije se Pikford ka marrë edhe shumë kërcënime me vdekje dhe në lidhje me këtë çështje ka hyrë në lojë edhe policia angleze.

Ndjesa publike e portierit nuk ka mjaftuar dhe tifozët e zjarrtë të “The Reds” nuk përmbahen. Do të shikohen të gjitha kërcënimet sepse ndonjë prej tyre mund të jetë serioz dhe të përbëjë rrezik për jetën e portierit të skuadrës së Ançelotit. Derbi i “Merseyside” këtë sezon ishte shumë i zjarrtë sepse edhe Evertoni është rritur shumë në cilësi nën drejtimin e Karlo Ançelotit.