Duket si profeci e prirur për t’u realizuar ajo e Juventusit, që pas triumfit në “San Paolo” ndaj Napolit dhe kualifikimit në 1/8 e Champions League tashmë pret fundjavën për të kapërcyer pengesën e fundit të vështirë në këtë javë ndaj Interit. Objektivi i bardhezinjve është të shënojë fitoren e radhës në kampionat, që do t’u jepte siguri në garën për titull në një moment të rëndësishëm të sezonit.

Higuain, Cuadrado dhe Bernardeschi kanë lënë gjurmët e tyre në dy ndeshjet e fundit, duke i dhuruar Juventusit pikë të rëndësishme për të qëndruar protagonist si në Serinë A ashtu edhe në Europë. Lajmi i mirë për Allegrin vjen nga reparti i mbrojtjes, që në katër ndeshjet e fundit mes Serisë A dhe Championsit i gjen bardhzinjtë me portën e paprekur.

Një sinjal shumë i mirë nga kampionët në fuqi të Italisë, të cilët përgjatë viteve të fundit i kanë ndërtuar sukseset e tyre bazuar mbi mbrojtjen solide. Bardhezinjtë kualifikohen ne fazën e 1/8-ave të Champions Leagues për të katërtën herë radhazi. Juventus nuk ka pësuar gol në katër ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Ka pësuar vetëm një humbje në 9 transfertat e fundit të Championsit, nga të cilat ka marrë 6 fitore. 6 nga 7 golat në këtë kompeticion janë shënuar gjatë aksionit. Goli i Cuadrados në minutën e 15-të është më i shpejti për Juventusin e këtij edicioni në Champions League. Sidoqoftë, përballë armatës së Spallettit do të nevojitet kontributi i të gjithë skuadrës për të mbyllur me sukses javën magjike!