Duhej të ishte një festë për futbollin, pasi në Korçë po luhej ndeshja e parë e sezonit të ri të Kategorisë Superiore, mes Skënderbeut dhe Partizanit, por tifozëritë e të dy palëve, nuk e konsideruan të tillë.Tensioni mes dy palëve arriti kulmin rreth minutës së 70′, kur edhe filloi një luftë në distancë me tifozëritë që godisnin njëra-tjetrën me sende të forta. Disa të plagosur dhe rreth 15 minuta ndërprerje, ishte bilanci i një panorame të turpshme, që do të kërkojë një analizë të thellë dhe marrjen e masave për të eliminuar prezencën e vandalëve në shkallët e stadiumit.

Në orët e vona të mbrëmjes ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, që është njëkohësisht edhe organizatorja e garës në Kategorinë Superiore. FSHF ka dënuar aktet e dhunës në stadiumin “Skënderbeu” dhe ka premtuar se do të ndalet gjatë në këtë rast, për të analizuar shkaqet dhe për të marrë masat për të shmangur njëherë e mirë këtë fenomen.

Gjithashtu, institucioni që drejton futbollin në vend ka përsëritur apelin për klubet, që të rritin komunikimin me tifozëritë, për të shmangur aktet e dhunës nëpër stadiume. Gjithashtu FSHF ka quajtur si të parakohshëm amendimin e ligjit për sportin, që la jashtë stadiumeve Policinë e Shtetit, Ћka ndikoi edhe në shpërthimin e dhunës që në momentin e parë.

Ja reagimi i plotë i FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim incidentin e ndodhur në Korçë gjatë ndeshjes hapëse të kampionatit. Për çdo moment aparati drejtues ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e ndeshjes për të risjelle në stabilitet situatën e agravuar mes tifozërive. Për fatin e mirë situata u rikthye në normalitetin që duhet, por karshi një episodi të tillë FSHF nuk mund të qëndrojë kurrsesi indiferente.

Organizimi dhe mbarëvajtja e garës mbetet prioritet absolut i saj.Incidenti në stadiumin e Korçës duhet të jetë një moment emergjent reflektimi përsa i përket sigurisë në stadiume dhe prezencës së policisë së shtetit në to. Tensioni i prodhuar në Korçë nuk mund të përligjë në asnjë moment amendime ligjore të parakohshme dhe që lëkundin sigurinë publike në stadiume. Një ngjarje e tillë dëshmoi pikërisht që për një çështje të tillë kërkohet një reflektim i menjëhershëm institucional.

Nga ana tjetër FSHF kërkon të risjellë për të disatën herë në vëmendje të klubeve, rritjen e komunikimit të tyre me tifozëritë përkatëse, sensibilizimin e vazhdueshëm me grupimet e tifozërive për të garantuar më shumë stabilitet dhe për të shmangur sa më shumë momente të tilla agravuese dhe jashtë kontrollit në shkallët e stadiumit. Pjesa komunikuese me tifozëritë e tyre, është dhe duhet të mbetet një nga prioritetet e domosdoshme.

Për incidentin në Korçë gjithçka do të analizohet me detaje, referuar raporteve nga zyrtarët e ndeshjes, për t’i kaluar më pas edhe pranë komisioneve përkatëse për shqyrtim dhe vendimmarrje. FSHF do të qëndrojë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet përkatëse të rendit dhe me klubet për t’i dhënë një zgjidhje garantuese këtij problemi, me gjithë barrierën ligjore që imponoi një situatë të tillë!