Vera do të jetë vërtetë e nxehtë për menaxherin e njohur portugez, Jorge Mendes, i cili vetëm sot përmbylli me sukses transferimin e Cristiano Ronaldos te Juventusi.Tani menaxherit të njohur do t’i duhet të gjejë sistemim për të tjerë yje, me Angel Di Marian në krye, i cili nuk është më i preferuar në Paris dhe po kërkon një tjetër destinacion ku të vijojë karrierën.

Mendes ia ka ofruar Di Marian Interit, duke qenë se zikaltrit kërkuan informacione për të edhe në muajin janar, por Ausilio ka qenë i qartë, duke vendosur dy kushte për realizimin e këtij transferimi.Së pari Drejtori Sportiv zikaltër ka kërkuar ulje të rrogës së argjentinasit, nga 9 milionë euro që përfiton aktualisht te PSG-ja, në 6 të tilla te Interi, pasi klubi milanez nuk mund të paguajë asnjë cent më tepër.

Kushti tjetër lidhet transferimin e Joao Marios, i cili ka gjithashtu për menaxher patriotin e tij, Jorge Mendes. Edhe këtu Ausilio është treguar i qartë, duke kërkuar 30 milionë euro për shitjen e Joao Marios, para të cilat do t’i investonte për të marrë Di Marian.Pra, duket se transferimi i Di Marias te Interi nuk është më çështje e zikaltërve, por e vetë menaxherit Mendes, që duhet të gjejë sistemim për Joao Marion dhe të bindë argjentinasin të ulë pagën.