Dejvi Bregu ishte heroi i Teutës ndaj Laçit, teksa me supergolin e shënuar, i dha fitoren durrsakëve, në një ndeshje me rivalin direkt siç është Laçi. Pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, Bregu ka thënë se do të pranojë të luajë për Kombëtaren, edhe sikur të jetë në miqësore.“Edhe në miqësore do të doja të isha me Kombëtaren, nuk e kam problem unë!

Duke parë rëndësinë e ndeshjes, ishin 3 pikë shumë të rëndësishme për ekipin tonë. Besoj se ky ishte goli më i bukur i karrierës sime. Ia dedikoj, dy presidentëve, ekipit, tifozëve, familjes dhe babait i cili e priste prej kohësh këtë. Unë e kam thënë edhe hapur, që kur kam ardhur këtu kam pasur vështirësi, me mungesë ritmi. Unë e di shumë mirë se kush jam, dhe e di forcën time. Erdha në formë në një moment kur ekipit i duhem shumë.

Titulli?  Ne gjithmonë kemi besuar te titulli. Ia kemi ditur vlerat të gjithave. Në këtë fazë mendoj se jemi ekipi më i mirë. Ne kemi besuar nga fillimi, shpresoj të vazhdojmë kështu, pasi mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta mbyllur ne vendin e parë.

Mesazh për kundërshtarët? Nuk dua të jap një mesazh për rivalët. Mesazhin e kemi brenda grupit, të jemi të bashkuar, pasi kemi një ekip shumë të mirë.

Pretendimi për penallti? Nuk ka qenë, sepse e sqarova edhe me Ignjatoviçin. Thjesht më pengoi hapin dhe nuk ishte penallti.”, tha Bregu.