Në Madrid sezoni po mbyllet në mënyrë të trishtuar, si asnjëherë këto vitet e fundit, ndaj tashmë te Reali presin verën për të nisur revolucionin.Ekziston një problem madhor dhe ai quhet Gareth Bale: agjenti i anësorit uellsian ka bërë të ditur se klienti i tij nuk do të pranojë të largohet këtë verë, edhe nëse Reali arrin marrëveshje me ndonjë klub.

Muajt e fundit janë shtuar zërat për largim të një futbollisti që ka kushtuar jashtëzakonisht shumë, por nuk hyri asnjëherë në zemrat e tifozerisë madrilene dhe mediave spanjolle, për paraqitjet shpesh zhgënjyese, por edhe për shkak të tipit të tij të ftohtë.Bale duhej të ishte trashëgimtari i Ronaldos edhe në aspektin e imazhit, përveçse të qenit lider, por uellsiani nuk ka shpërthyer pavarësisht nga largimi i një "peshe të rëndë" si CR7.

Ditët e fundit Marca ka raportuar se trajneri Zinedine Zidane i ka kërkuar klubit ta shesë Bale, edhe me çmim më të ulët nga sa është blerë, pasi nuk e ka më në plane.Megjithatë, agjenti i mesfushorit, Jonathan Barnett, ka folur për televizionin spanjoll Cuatro dhe ka dhënë mesazhin e Bale: "Ai është i lumtur në Madrid. Është futbollist i Realit dhe nuk e mendon për momentin kthimin në Angli, ndaj çdo spekulim për largim të tij është pa asnjë bazë".