Paulo Dibala është totalisht i shëruar nga Covid-19. Sulmuesi argjentinas ishte një nga të parët futbollistë të infektuar, por koronavirusi qëndroi shumë në trupin e tij. Mediet italiane vazhdimisht njoftonin për teste pozitive të argjentinasit edhe pse ai kishte nisur të stërvitej individualisht në shtëpinë e tij. Ai ka marrë përgjigjen e testit të radhës dhe është konfirmuar se është totalisht i shëruar.

Lajmin e ka njoftusr vetë “La Joya” nëpërmjet një fotoje të postuar në rrjetet sociale, ku njofton i gëzuar se është shëruar nga virusi, që ka gjunjëzuar pjesën më të madhe të globit.

“Fytyra ime tregon gjithçka, më në fund u shërova nga Covid-19”, shkruan Dibala në përshkrimin e fotos. Një pjesë e skuadrave të Serie A kanë nisur stërvitjen dhe Dibala së shpejti do të jetë i gatshëm të bashkohet me shokët e Juventusit, pas ditëve të vështira të kaluara.