Më në fund Christian Eriksen ka mbërritur në Milano me një fluturim privat nga Londra në aeroportin e Linates, ndërsa tani po u nënshtrohet testeve mjekësore dhe atyre sportive, para se të vijë edhe zyrtarizimi.E nisur shumë kohë më parë negociata më në fund ka pasur “tym të bardhë”, me Tottenham që pranoi ofertën e Interit dhe Eriksen që do të nënshkruajë për 4 sezone e gjysmë me zikaltrit, për një pagë prej 7.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuset.

Dita e sotme pritet të kalojë me testet mjekësore, ndërsa vetëm nesër është planifikuar që danezi të vihet nën urdhrat e Antonio Contes dhe të takojë shokët e tij të rinj. Është totalisht e përjashtuar mundësia që fantazisti të jetë në dispozicion të Contes për sfidën e të mërkurës në mbrëmje ndaj Fiorentinës, ndërsa debutimi i Eriksen me Interin pritet të vijë në fundjavë në transfertën ndaj Udineses.

Christian Eriksen është futbollisti i tretë që Interi afron në merkaton e janarit, pas Ashley Young dhe Victor Moses, por njëkohësisht edhe më i rëndësishme, pasi me danezin, zikaltrit synojnë të bëjnë një hap të madh cilësor e të pretendojnë objektiva madhorë.

Tani Marotta e Ausilio pritet të përqendrohen te puna për të sjellë një Milano një sulmues, që do të marrë vendin e Politanos, i cili u transferua te Napoli, ndërsa kandidati kryesor është Olivier Giroud i Chelseat.