Në Lojërat Olimpike “Pyeongchang 2018” ka garuar sot edhe skiatori shqiptar Erjon Tola, që ka konkurruar në garën e sllallomit gjigant (dy ditë më pare garoi edhe Suela Mëhilli). Skiatori kuqezi ka bërë një paraqitje të mirë, duke e mbyllur garën në vendin e 49-të mes 107 konkurrentëve që morën pjesë në këtë disiplinë.

Tola mori pjesë në të dyja zbritjet, madje duke e përmirësuar rezultatin. Pas zbritjes së parë, skiatori kuqezi dha kohën 1’16”86, ku u klasifikua në vendin e 54-t, rezultat që i dha mundësi të kualifikohet për në zbritjen e dytë. Në përfundim të zbritjes së dytë, Tola e ndali kronometrin në kohën 1’16”77, duke u klasifikuar në vendin e 49-të, me kohën e përgjithshme 2’33”63 pas dy zbritjeve.

Një paraqitje e mirë e Erjon Tolës, që u rendit brenda “top-50” skiatorëve më të mirë në këtë disiplinë sportive. Medaljen e artë në këtë garë e mori skiatori austriak Marcel Hirscher, 6 herë radhazi triumfues i Kupës së Botës. Koha e Tolës ishte 15”69 më shumë se ajo e Hirscher në renditjen e përgjithshme.

Skiatori kuqezi do të garojë më datën 20 shkurt edhe në disiplinën e sllallomit special.