Ndonëse nuk e ka arritur podiumin as në stilin e shkëputjes dhe as në stilin e shtytjes, kjo nuk e ka penguar Romario Avdirajn, që falë një kombinimi të pazakontë të dështimit të rivalëve, të marrë të hënën një medalje të bronztë në ditën e dytë të Kampionati Evropian të Peshëngritjes për të rinj dhe nën-23-vjeçarët, që po zhvillohet në Durrës.

Në fakt, në një bateri A me pak pjesëmarrës, vetëm 5, të kategorisë së peshës trupore deri në 62 kg për nën-23-vjeçarët, Avdiraj ka bërë një garë relativisht të mirë. Në provën e parë në stilin e shtytjes ai ka ngritur me sukses 108 kg, ndërsa ka vijuar ta kalojë me sukses edhe provën e dytë, me 112 kg, që do të ishte edhe maksimumi i tij në këtë stil, pasi nuk e ka shfrytëzuar provën e 3-të.

Ai është renditur i 4-ti në shkëputje, ndërsa në shtytje ka ngritur me sukses 139 kg, në provën e parë. Peshëngritësi vlonjat e ka kapërcyer me sukses edhe provën e dytë të tij, me 145 kg, ndërsa nuk ia ka dalë të shkojë një hap më larg në provën e tretë, me 147 kg, duke e mbyllur kështu në vendin e 4-t në shtytje dhe me 257 kg në total në dygarësh.

Por gara e keqe që rivali bjellorus, Jarosllav Zabolotnji ka bërë në stilin e shtytjes, i ka dhënë mundësi Romario Avdirajt të sigurojë shkallën e 3-të të podiumit, duke i dhënë kështu Shqipërisë medaljen e 3-të në këtë Evropian që zhvillohet në Durrës, pas dy medaljeve të argjendta të Arbër Çerçizit.