Shuhet Harry Gregg, legjenda e Manchester United. Në moshën 87 vjeçare, ish portieri i shquar i “Djajve të kuq” është larguar nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Gregg ka qenë pjesë e Manchester United në periudhën 1957-1966, duke zhvilluar më shumë se 200 ndeshje me fanellën e kuqe. Ai luante në rolin e portierit, duke qenë pjesë e kombëtares irlandezo-veriore.

Në Botërorin e 1958, Gregg u shpall portieri më i mirë i turneut. Lajmin e hidhur e kanë dhënë familjarët e tij, që kanë falenderuar stafin mjekësor për përkushtimin e tyre,

“Me shumë pikëllim informojmë vdekjen e legjendës së Manchester United dhe Irlandës së Veriut, Harry Gregg. Harry ndërroi jetë paqësisht në spital, i rrethuar nga familja e tij e dashur. Ju falënderojmë për dashurinë dhe respektin e shprehur për Harry dhe familjen e tij”, thanë mes të tjerash familjarët.