Sot paradite, në sallën e Konferencave të Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua një seminar me gjyqtarët kryesorë, të kategorisë Superiore dhe asaj të parë. Përpara fillimit të tij, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, zhvilloi një takim me këta gjyqtarë si edhe me vëzhgues të kasaj kategorie. Ai shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku dhe Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati.Presidenti Duka, theksoi se e kishte kërkuar këtë takim, në qendër të të cilit ishte problematika e gjykimit.

“Jemi në pjesën më delikate të edicionit dhe ju jeni të ndërgjegjshëm se këto ndeshje, janë shumë të rëndësishme.  Kjo sepse do të vendoset për fatin e të gjitha skuadrave, si për ato që luftojnë për titullin dhe Europën ashtu edhe për ato që kërkojnë mbijetesën. Vendimet tuaja, janë shumë përcaktuese dhe marrin një rëndësi të veçantë. Ato më shumë se zakonisht, gjatë kësaj periudhe, krijojnë trazime emocionale tek klubet, të cilat pasqyrohen gjerësisht edhe në media. Prandaj, ju duhet të jeni sa më të përqëndruar dhe të kujdesshëm, për të dhënë më të mirën tuaj dhe për t’i bërë veprimet tuaja sa më pak të kontestueshme” – ka deklaruar në fjalën e tij Presidenti i FSHF.

Ai u ka tërhequr vëmendjen gjyqtarëve, për të rritur nivelin e gjykimit dhe për të qenë sa më të kujdesshëm dhe të drejtë në vendimet e tyre.

 “Prej jush kërkohet profesionalizëm dhe minimizim të gabimeve, që vihen re gjatë gjykimit. Ne, nuk do të tolerojmë asnjë gabim dhe kërkojmë nga ju, që të merrni përgjegjësitë, për të qenë sa më të saktë dhe profesionalë në fushën e lojës”- ka vazhduar më tej Presidenti Armand Duka.

“ Është detyrë e të gjitha hallkave, gjyqtarëve, delegatëve dhe vëzhguesve dhe e komisioneve, që gjithçka të shkojë sa më mirë dhe deri në fund të edicionit të minimizohen kontenstimet. Për këtë duhet shumë punë dhe bashkëpunim nga të gjitha hallkat. Unë kërkoj nga ju një analizë profesionale dhe të plotë deri në detaje, në lidhje me gabimet e deritanishme dhe reflektim sa më të shpejtë dhe efikas”-përfundoi Presidenti Duka, fjalën e tij gjatë takimit të organizuar me gjyqtarët dhe drejtuae të tjerë.

Pas takimit me Presidentin Armand Duka, gjyqtarët kanë vazhduar me seminarin e parashikuar më parë dhe në një analizë të hollësishme të problematikës së kësaj periudhe, duke analizuar gjithçka.