Roni Gashi është i bindur se Teuta e kap Europën. Mesfushori kosovar, i cili ka ardhur këtë sezon te durrsakët, thotë se humbja me bardheblutë djeg, por skuadra do të reagojë që në takimin e radhës. Mesfushori i Teutës është shfaqur optimist për ndeshjen e radhës me Kukësin, skuadrën që Teuta rivalizon për Europën.

Këtë javë jeni pushim, do të ndikojë për mirë në skuadër?

Ndalesa na ka shërbyer për mirë pas asaj humbjeje ndaj Tiranës. Po pësojmë gola me kundërsulme dhe kjo nuk na falet. Në ndeshjet e fundit më shumë kemi ndëshkuar veten, sesa na ka ndëshkuar kundërshtari. Duhet të fitojmë patjetër me Kukësin javën e ardhshme.

Roni, çfarë nuk shkoi ndaj Tiranës?

Në fakt, ndaj Tiranës shumë gjëra nuk shkuan mirë dhe kryesorja ishte mungesa e përqendrimit. Bëmë shumë gabime dhe për rrjedhojë, u ndëshkuam. Kishim shanse të barazonim. Nëse kjo do të ndodhte, loja mund të merrte tjetër rrjedhë.

Jeni i trishtuar. E priste Gashi që të mbyllej me atë rezultat ajo ndeshje?

Jam realisht i keqardhur. E megjithatë, le të shohim përpara, pasi ka ende shumë javë për t’u luajtur. Dhe jam i bindur se, po të jemi të gjithë bashkë, do të bëjmë më të mirën dhe do të arrijmë objektivin që i kemi vendosur vetes, të shkojmë në Kupat e Europës. Mendoni se skuadra e ka potencialin për t’u kthyer tek ecuria pozitive? Patjetër që po. Ne kemi besimin te vetja dhe hyjmë në fushën e lojës me kokën lart ndaj çdo rivali.

Mendoj se jemi një skuadër që duhet të na e kenë frikën, sepse do të rikthehemi dhe nuk do të ndalemi. Do të arrijë Teuta në zonën e Europa League?

Dëshira është shumë e madhe. Të realizosh këtë dëshirë, kërkon shumë punë dhe mund. Duhet të derdhim akoma dhe më shumë djersë. Pa dyshim që jo vetëm unë, por të gjithë jemi të bindur që do ta arrijmë zonën europiane, por gjithmonë duke qëndruar me “këmbë në tokë” dhe duke marrë ndeshjet njëra pas tjetrës.

Kukësi, a është një kundërshtar i drejtpërdrejtë për Europën?

Çdo rival është i fortë dhe çdo kundërshtar ka objektivat e tij. Nuk mendoj se ka shumë diferenca të mëdha midis ekipeve dhe nëse ka, ato pak diferenca zerohen në fushën e lojës. Kukësin e respektojmë dhe e vlerësojmë shumë, por ne vazhdojmë në rrugën tonë për të realizuar qëllimin tonë. Jam shumë i bindur që do të jetë një tjetër ndeshje e madhe për ne dhe do arrijmë të marrim rezultat pozitiv.