Milani fiton sërish në shtesë, këtë radhë në Udine, ndaj fati duket se po i buzëqesh, pas humbjes në shtesë në derbi.Trajneri kuqezi Xhenaro Gatuzo është i lumtur dhe nuk e konsideron thjesht fat: “Goli i pësuar në fund ndaj Interit ishte goditje e rëndë. Ndaj Udinezes e merituam fitoren. Kemi vuajtur, kemi pasur shumë dëmtime dhe skuadra meriton komplimente. Në pjesën e dytë skuadra më pëlqeu, tani shpresoj të rikuperojmë ndonjë lojtar”.Higuain u dëmtua:

“Ndjeu një dhimbje në shpinë, ndoshta mori një goditje. Shpresojmë të mos jetë asgjë serioze”.Goli mund të anulohej, por VAR rregulloi gjithçka, ndërkohë që Gatuzo protestonte: “Nuk i thashë asgjë anësorit, thjesht shkova drejt tij duke e parë me flamurin lart. Kartonin e kuq e mora se dola nga zona teknike”.

Milani vijon të fitojë: “Nuk ishim të mbaruar më përpara dhe nuk jemi fenomenë tani. Fitoret ndihmojnë për të punuar më mirë, të shohim sa larg mund të shkojmë’.Mungesat shtohen:

"Nuk kemi ç’ bëjmë, nuk po na ecën fati. E hëna është pushim, pastaj shohim si jemi fizikisht. Kastijeho u paraqit mirë, edhe Borini  jam i kënaqur prej tyre, po tregojnë se kanë cilësi dhe kemi nevojë për të gjithë. Sot mbrojtja u soll mirë, Bakajoko e Kesie e bënë mirë detyrën në mesfushë. Suso luajti për 25 minuta si sulmues i dytë, e pamendueshme kur e mora Milanin. Të gjithë po japin maksimumin dhe po vihen në dispozicion total”.