Ryan Giggs tha se Uellsi i tij e ndihmoi edhe vetë humbjen 1-0 ndaj Shqipërisë, në ndeshjen historike të Chris Gunter. Ky i fundit luajti ndeshjen e 93-të ndërkombëtare në miqësoren e së martës, duke tejkaluar Neville Southall si lojtarin rekordmen të Uellsit në këtë drejtim.

Por, penalltia e minutës së 58-të, e kthyer në gol nga Bekim Balaj, e prishi festën e Gunter, ndërsa hidhëroi jo pak trajnerin Giggs, që regjistroi disfatën e katërt në pesë ndeshje.

“Ne e kontrolluam pjesën e parë dhe menduam se do të ishte e lehtë. Duhej ta kishim fituar këtë miqësore, sepse kishim kontrollin e plotë, – tha ai.– Por, e lejuam veten të rrëzoheshim sërish. Unë kam qenë në futboll mjaftueshëm, sa për të nuhatur kur diçka do të ndodhë dhe iu thashë lojtarëve të ishin më konkretë në pjesën e dytë. Në fakt ndodhi e kundërta, lojtarët e mi nuk kishin përqendrim në gjysmën e dytë të ndeshjes. E pamë veten në disavantazh të një goli, kishim kohë për të reaguar, por nuk bëmë lojën tonë. Po e dorëzonim topin në portën e kundërshtarit. E morëm mjaft thjesht, se do të fitonim, por dikush duhej të na nxirrte nga telashet. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi”.

I hedhur në lojë në pjesën e dytë, ylli i Real Madridit, Gareth Bale, u mundua t’ia ndryshonte rrjedhën miqësores në “Elbasan Arena”. Ai shpërtheu ndaj gjyqtarit kryesor, duke pretenduar për një penallti, gjatë ndërhyrjes së Migjen Bashës në zonën e portës kuqezi. Nuk ka pranuar të flasë për mediat, mbas humbjes 1-0, duke qenë jo pak i mërzitur, por përmes rrjeteve sociale ka gjetur mundësinë të falënderojë tifozët e shumtë uellsianë, që kishin udhëtuar për të mbështetur kombëtaren e tyre.

“Rezultat shumë zhgënjyes sonte! Por, një falënderim i madh për të gjithë ata që udhëtuan”, – shkruan Bale në “Twitter”, duke pasur parasysh tifozët uellsianë, që kishin bërë kilometra të tëra për këtë miqësore dhe gati ishin më të shumtë në numër se vendësit.