Një short i jashtëzakonshëm për kombëtaren e Gjermanisë, e cila do të ndeshet në verë me kampionët e botës, Francën dhe ata të Europës, Portugalinë. Kundërshtari tjetër i gjermanëve do të mësohet më 31 mars, pas përfundimit të “play-off”- it. Ndeshja hapëse do të luhet mes Italisë dhe Turqisë më 12 qershor në stadiumin olimpik të Romës. Për Manuel Nojer me shokë kompeticioni do të nisë më 16 qershor në “Allianz Arena” ndaj kampionëve të botës, Francës. Të dyja skuadrat janë përballur edhe në vitin e kaluar për ligën e kombeve me “Gjelat” që barazonin në Gjermani dhe fitonin 2-1 në Paris falë golave të Mbape dhe Grizman.

Në Europianin e 2016-ës, francezët eliminuan “Pancerat” në gjysmëfinale me rezultatin 2-0 në Marsejë. Ndeshja e dytë do të luhet më 20 qershor ndaj Portugalisë, kampionët në fuqi, me ta gjermanët kanë kujtime të mira. Në Europianin e 2012-ës ata fituan 1-0 dhe më pas në Botërorin e 2014-ës 4-0. Ai që mbetet e paqartë është kundërshtari i tretë në grup. Islanda është favoritja kryesore nëse mund Hungarinë ose Bullgarinë në “play-off”.Trajneri Joakim Lëv nuk e fshehu vështirësinë që paraqet ky grup duke thënë se: “Jam shumë i lumtur që do të luajmë kundër ekipeve më të mira në botë. Sigurisht që do të na duhet shumë punë për t’u kualifikuar, por besoj se të gjitha skuadrat do të djersisin shumë për të vazhduar më tej. Do të ketë pa dyshim një lumë golash dhe spektakli nuk do të mungojë për tifozët në stadium. Mezi po presim ta nisim këtë aventurë”, tha Lëv.

Trajneri i “Pancerave” ka pranuar edhe më parë se skuadra e tij nuk hyn te favoritet për të fituar edicionin, por do të bëjë më të mirën për të shkuar sa më larg. Në fund të majit të ardhshëm, gjermanët do të grumbullohen në Tirol për të nisur përgatitjet për Europianin. Para kësaj do të ketë dy ndeshje miqësore, një ndaj Zvicrës në Bazel, një tjetër ndaj një kundërshtari që nuk është përcaktuar ende.