Në mungesë të Hysajt e Mavrajt, Berat Gjimshiti është mbrojtësi më me eksperiencë në Kombëtaren Shqiptare, ndërsa sot ishte në konferencën për shtyp, ku theksoi se kuqezinjët janë gati për të luajtur shanset e tyre ndaj Turqisë.

Si po shkojnë përgatitjet ndaj Turqisë dhe sa ju prish punë dëmtimi i Hysajt?
I kemi dy ndeshje shumë të vështira, sidomos kundër Turqisë, por besoj se kemi shanse të vërteta. Në ndeshjen e kaluar kemi bërë gabime individuale. Do ta shikojmë si një shans të ri dhe do të japim maksimumin. Më vjen keq për Hysajn që u lëndua para Kombëtares, pasi ishte dhe kapiten kur nuk ishte Mërgimi. Besoj do na mungojë, por do luajmë edhe për Elsin.

Jeni mbrojtësi më me eksperiencë, a ju jep kjo më shumë përgjegjësi?
Kam më shumë se 5 vite që jam këtu dhe kam kaluar eksperienca të mira dhe të këqija. Do të marr përgjegjësi më të mëdha dhe do vazhdojmë të shikojmë përpara.

A ka diferenca mes Shqipërisë që luajti kundër Turqisë në mars dhe asaj aktuale?
U pa dhe në ndeshjen e fundit me Islandës që u ndryshua diçka, pasi luajmë më të sigurt. Ka pasur shumë ndryshime në skuadër dhe jemi mirë me sistemin e ri që luan trajneri Reja. Mund të kemi një shans të vërtetë.

Po kaloni një moment mjaft të bukur në karrierë…
Mund të them që është një moment shumë i bukur. Gjërat që i kemi arritur me Atalantën, dua t’i bëj edhe me Kombëtaren. Vetëbesimin që e kam te Atalanta dua ta transmetoj edhe këtu në ekipin Kombëtar.

Si ju duken lojtarët e afruar rishtazi?
Sigurisht që janë gati. Bare ka luajtur shumë mirë, Seferi gjithashtu. E kanë përvojën për të luajtur dhe do ta kenë shansin për ta treguar veten. Do jetë një shans i vërtetë edhe për ta.