Ishin bërë të shpeshta, thuajse të zakonshme, grabitjet e shtëpive të futbollistëve në Madrid në kohën që këta të fundit ishin duke zhvilluar ndeshjet e La Liga-s apo Champions League. Alvaro Morata, Isco, Tomas, Kasemiro apo Zidan. Megjithatë, policia ka lajmëruar se ka shkatërruar grupin kriminal duke dërguar autorët pas hekurave. Mes të ndaluarve bie në sy edhe një shqiptar me inicialet M.Z, i cili kishte qenë i dënuar edhe më parë në vitin 2007, sërish për abuzimin e shtëpisë së një biznesmeni.

Në një nga shtëpitë e keqbërësve, policia ka gjetur edhe shumë sende me vlerë të cilat janë grabitur në shtëpitë e futbollistëve.Bëhet fjalë për bizhuteri, apo edhe medalja e finales së Champions League të futbollistit të Atletiko Madrid, Tomas. Ndërkohë, janë sekuestruar edhe 10.000 euro në kesh. Megjithatë, tashmë makthi duket se ka marrë fund, teksa futbollistët mund të jenë më të qetë gjatë kohës që nuk janë në banesa.