Tensioni i derbit ndihet në kryeqytetin italian. Pas parullës kundër Zaniolos, edhe edicionet e kronikës i kanë kushtuar vëmendje situatës rreth Roma-Lacio. Duket disi paradoksale, por gjithçka lidhet me arrestimin e një hajduti, i cili ka grabitur një farmaci, “plaçkitja” e së cilës kap vlerën e 1500 eurove.

Shuma mbase nuk është fort e lartë, por atij do t’i duhet të përballet me drejtësinë shumë shpejt. Në fakt, më tepër sesa gjyqin apo ndëshkimin, i ndaluari ka menduar pikërisht për derbin kur policët i kanë vënë prangat. I arrestuar në shtëpinë e tij, hajduti 40-vjeçar mësohet të jetë ankuar për faktin se nuk do të mund të shohë Romën e tij kundër Lacios sot në mbrëmje.

I ndaluar nga forcat e rendit edhe në raste të tjera, hajduti ka deklaruar në komisariat se ndien keqardhje që nuk do të shkojë në stadium, duke shtuar se këtë derbi do të jetë i detyruar ta shohë nga televizori në qelinë e izolimit.