Antoinne Griezmann ka vendosur të largohet nga Atletico e Madridit në fund të sezonit dhe vendimin e tij ua ka bërë të ditur fillimisht drejtuesve të klubit dhe më pas tifozërisë madrilene, nëpërmjet një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.Ndonëse së fundi kishte rinovuar kontratën deri në vitin 2023, Griezmann duket se dëshiron të provojë një tjetër aventurë dhe ka vendosur të largohet, ndërsa klauzola për prishjen e kontratës së tij është 125 milionë euro.

“Pasi fola me klubin, dua të flas edhe me ju, për të ndarë vendimin tim për t’u larguar. Ky është klubi ku kam fituar trofetë e parë dhe kam ndjerë thuajse gjithmonë afeksionin tuaj. Kam kaluar 5 vite të mrekullueshme këtu dhe do t’ju mbaj gjithmonë në zemër, por tani kam nevojë për të tjera sfida”, tha Griezmann në video-mesazhin për tifozërinë.

Vlen të theksohet se për fantazistin francez ka shfaqur interes të fortë Barcelona, që e kërkoi që verën e kaluar, por tani duket se janë pjekur kushtet dhe katalanët pritet të paguajnë 125 milionë eurot për kartonin e tij.