Sezoni 2017-2018 nuk ka për të qenë aspak i lehtë për skuadrën e Chicago Bulls dhe kjo konfirmohet edhe nga incidenti që ka ndodhur sot gjatë stërvitjeas, ku dy lojtarë të ekipit legjendar në NBA janë zënë me grushte mes tyre. Sipas mediave amerikane, basketbollisti Nikola Mirotic ka përfunduar në spital me fraktura në fytyrë dhe dëmtime në tru, pasi është goditur disa herë me grushte nga shoku i tij i skuadrës Bobby Portis.

Ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja që dy lojtarët janë zënë me grushte mes tyre, por ata luajnë në të njëjtin rol dhe mësohet se gjatë stërvitjes kanë nisur të duelojnë ashpër trup më trup mes tyre. Më pas, situata ka degjeneruar në fyerje e grushte dhe ai që e ka pësuar më keq është Mirotic. Mësohet gjithashtu se basketbollisti spanjoll, pas grushteve që ka marrë nga shoku i skuadrës, ka qëndruar disa minuta i shtrirë në parket dhe më pas u transportua në spital, ku i është nënshtruar disa ekzaminimeve.

Mësohet gjithashtu se Mirotic do të qëndrojë jashtë fushave për disa javë pasi dëmtimet janë të rënda, por përjashtim për disa javë do të ketë edhe Portis, që ka shkaktuar incidentin si dhe gjobë nga ana e klubit. Bulls do ta nisin sezonin pas 48 orësh, teksa do të luajnë në fushën e kanadezëve të Toronto Raptors, me debutuesin Lauri Markkanen që pritet ta nisë ndeshjen si titullar duke parë mungesat e Mirotic dhe Portis.