Për Hamburgun është viti zero, sezoni më i zi në historinë e vet të lavdishme, që u njollos, sepse për herë të parë në historinë e Bundesligës klubi verior zbret një kategori më poshtë.

Ora e lavdishme në stadiumin e Hamburgut, që numëronte vitet, muajt, ditët, minutat e sekondat e kaluara nga Hamburgu në Bundesligë, tashmë është zeruar dhe është graduar që të matë vitet që nga themelimi i Hamburgut, në shekullin e 19-të sipas drejtuesve të Hamburgut, edhe pse zyrtarisht viti i themelimit me emrin Hamburg është 1919.

Të dëshpëruar nga rrënimi i “Dinosaurit”,  siç njihet Hamburgu, shumë tifozë kanë braktisur stadiumin: plot 750 të abonuar kanë munguar në më shumë se 35% të ndeshjeve shtëpiake, që do të thotë të paktën 6 nga 17 ndeshjet e kampionatit të fundit.

Diçka e tillë në Gjermani është sakrilegj, ndaj Hamburgu ka marrë masa, sepse abonimi në Gjermani është diçka e shenjtë.Tradhtarët janë “pushuar nga puna”, sepse u është fshirë abonimi menjëherë pas përfundimit të sezonit dhe do të zëvendësohen nga tifozë të tjerë besnikë, duke qenë se lista e pritjes për abonim është shumë e gjatë.