DURRES, 6 korrik 2013 – Pavarësisht fitores më se të merituar të skuadrës durrsake, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, shprehet se nuk ka përfunduar asgjë dhe se kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit.

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, numri një i Teutës tha se ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij në përballjen e parë ndaj moldavëve, ndërsa ka kërkuar impenjim maksimal për ndeshjen e kthimit.

“Jam i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, si dhe nga fitorja 3-1. E filluam mirë ndeshjen dhe arritëm të shënonim të parët, por kundërshtari u rikthye në lojë dhe barazoi shumë shpejt. Pas barazimit, loja ishte e ekuilibruar dhe, për një moment, mendova se do të ishte shumë e vështirë të fitonim. Megjithatë, në pjesën e dytë skuadra e rriti disi presionin dhe lojën e saj, ndërsa më pas arriti të shënonte dy herë me Dostin dhe më pas me Mancakun, i cili realizoi një gol të bukur dhe me shumë peshë për skuadrën. Më pas arritëm ta menaxhonim mirë lojën dhe nuk u lamë hapësira për të na vënë në vështirësi”, – pohoi fillimisht Hasanbelliu.
 

Vlerësimi 

Presidenti durrsak i ka konsideruar të barabarta skuadrat: Teuta dhe Dacia. Ndonëse skuadra e tij ka fituar me një rezultat mjaft favorizues për ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet në Moldavi, Hasanbelliu shprehet se kualifikimi do të vendoset pikërisht në atë 90-minutësh.

Sipas tij, rezultati i ndeshjes së parë favorizon Teutën, por nuk përjashton edhe një përmbysje të mundshme, të cilën nuk do ta dëshironte kurrë.

“Kemi fituar në përballjen e parë me një rezultat të mirë, por nuk jemi kualifikuar. Kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në fushën e tyre. Me rezultatin 3-1 Teuta është më pranë kualifikimit, por unë mendoj se gjithçka ngelet e hapur dhe do të vendoset në 90 minutat e ardhshme. Është shumë e rëndësishme që edhe në Moldavi të bëjmë një paraqitje të mirë. Skuadra është e impenjuar dhe do të bëjë gjithçka për të kaluar për në fazën tjetër. Qëllimi ynë është që Teuta ta kalojë me sukses ndeshjen e kthimit, ku më e pakta të marrë një rezultat që i siguron kualifikimin për më tej”.

Hasanbelliu e vlerëson kundërshtarin, por shprehet se në pjesën e dytë të ndeshjes nuk e ka bindur me lojën e tij. Gjithsesi, ai paralajmëron se duhet kujdes në përballjen e radhës.

“Moldavët kanë një skuadër të mirë, por që nuk mundi të dilte në lojën e saj. Në fakt, prisja që Dacia të luante më fort, pasi në disa ndeshje që e kemi parë në video ka bërë paraqitje të shkëlqyera. Dacia është një skuadër me një buxhet shumë të mirë dhe një ekip që qëndron gjithnjë në vendet e para të kampionatit vendës. Ata do të bëjnë gjithçka që në fushën e tyre, në ndeshjen e kthimit, të paraqiten mirë dhe ndoshta me të drejtë pretendojnë për një përmbysje. Siç edhe e përmenda, gjithçka është e hapur sa i përket kualifikimit dhe mendoj se mundësitë janë: 55% për Teutën dhe 45% për Dacian”, – deklaroi Hasanbelliu.

Apeli Duke vijuar më tej, numri një i presidencës durrsake u shpreh se në ndeshjen e kthimit kërkon më shumë nga skuadra e tij.

“Jam i kënaqur nga skuadra si me fitoren ashtu edhe me paraqitjen në fushë, por kërkoj më shumë në ndeshjen e kthimit. Kjo përballje është shumë e rëndësishme për ne, prandaj duhet ta vlerësojmë maksimalisht dhe të bëjmë të pamundurën për t’u kualifikuar. Nuk do të shkojmë në Moldavi me pretendimin për ta fituar ndeshjen, por që të kthehemi të kualifikuar. Personalisht do të udhëtoj drejt Moldavisë, për të qenë sa më pranë skuadrës në atë ndeshje decizive”, – përfundoi Hasanbelliu, i cili ngelet një nga presidentët më të suksesshëm në futbollin shqiptar.

Mancaku: Na duhet një gol në Moldavi

Sulmuesi i Teutës, Bledar Mancaku, ka analizuar fitoren ndaj Dacias, ndërsa kërkon një tjetër paraqitje dinjitoze në ndeshjen e kthimit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mancaku deklaroi se suksesi i Teutës erdhi si pasojë e frymës së grupit, i cili ishte karikuar maksimalisht për këtë ndeshje. Sulmuesi, autori i golit të tretë, theksoi se skuadra e tij është favorite për të kaluar në fazën tjetër.
 

Teuta fitoi përballjen e parë me rezultatin 3-1. Mendoni se e ka prerë biletën e kualifikimit?

Sigurisht që jo. Ne kemi fituar vetëm përballjen e parë dhe fatmirësisht me një rezultat shumë të mirë, por kualifikimi do të vendoset disa ditë më vonë në Moldavi në ndeshjen e kthimit. Pa dyshim që rezultati na favorizon, por në futboll nuk bëhen llogari. Duke parë edhe kundërshtarin, unë mendoj se Teuta është më pranë kualifikimit. Na dëmtoi shumë pësimi i golit dhe na duhet të shënojmë edhe ne atje, sepse goli në fushë kundërshtare dihet që ka vlera të tjera. Nëse arrijmë të shënojmë që, sipas meje nuk diskutohet që do të shënojmë, atëherë do ta kemi shumë më të lehtë për t’u kualifikuar.
 

Cili ishte çelësi i suksesit në këtë takim?

Impenjimi i skuadrës dhe fryma e grupit. Ne luajtëm një ndeshje shumë të mirë, ku të gjithë lojtarët dhanë maksimumin e tyre. I dhamë rëndësi të veçantë lojës në grup dhe rezultoi pozitive. Ne kishim më shumë se një muaj që po punonim fort për këtë ndeshje dhe besoj se e morëm shpërblimin me fitoren 3-1. Skuadra tregoi se ka karakter dhe që nuk demoralizohet lehtë. Në shumë raste kundërshtari na vuri në vështirësi, por ne ditëm të reagonim dhe këtë e bëmë në momentin e duhur, kur ata po i linin forcat.
 

Si e parashikoni ndeshjen e kthimit?

Një ndeshje shumë të fortë dhe mjaft të ekuilibruar, rezultati i së cilës do të vendoset nga detajet. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në çdo moment, pasi mjafton një çast shpërqendrimi dhe ndeshja merr tjetër rrjedhë. Skuadrat janë të të njëjtit nivel, prandaj dhe pritet një ndeshje e fortë. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë, moldavët në shtëpi do përpiqen që ta kthejnë gjithçka në favorin e tyre. Ata nuk i kanë prerë shpresat te kualifikimi, ndonëse kjo duket shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Gjithsesi, kur janë në lojë edhe 90 minuta për t’u luajtur, mendoj se gjithçka ngelet e hapur.
 

Çfarë duhet të bëjë Teuta për të marrë një rezultat pozitiv në Moldavi, i cili do t’i siguronte kualifikimin?

Atë që bëmë edhe në Durrës në përballjen e parë. Të jemi të kujdesshëm gjatë gjithë ndeshjes dhe të përpiqemi që të mos pësojmë gol. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme. Pa diskutim që duhet impenjim maksimal sikurse në ndeshjen e vajtjes, ndërsa nuk lejohen kategorikisht gabimet. Duhet të jemi të saktë në çdo veprim tonin. Gjithashtu nuk duhet të lejojmë shumë hapësira dhe ta pengojmë kundërshtarin për të dalë në lojën e tij. Gjithsesi, besoj se do t’ia dalim mbanë dhe do të kualifikohemi për në fazën tjetër, ndonëse me pak vështirësi.

Axhenda, vijon stërvitja me dy seanca

Duke nisur që nga sot, Teuta do të nisë punën për ndeshjen e kthimit që do të luhet në orën 19:15 në stadiumin “Zimbru” të Kishinaut. Trajneri Magani ka paralajmëruar se do të ndiqet i njëjti program, sikurse edhe për ndeshjen e parë, ku skuadra do të stërvitet me nga dy seanca stërvitore në ditë: paradite dhe pasdite. Kjo javë pritet të jetë shumë e ngarkuar për skuadrën bregdetare, pasi do të përgatiten edhe për udhëtimin drejt Moldavisë. Mësohet se skuadra do të niset nga Durrësi më datë 9, ndërsa intenerari do të jetë: Tiranë-Stamboll-Kishinau.

Gjyqtar zviceran 

Gjyqtari i ndeshjes Dacia Kishinau-Teuta do të jetë zvicerani Nikolaj Hani. 37-vjeçari është një ndër arbitrat më të njohur të vendit të tij dhe ka eksperiencë në ndeshjet ndërkombëtare të kësaj kategorie. Hani shquhet për dhënien e kartonëve të verdhë dhe të kuq, ndaj edhe cilësohet si një ndër arbitrat më të rreptë. Vetëm në edicionin e fundit në Zvicër, ai ka akorduar 10 kartonë të kuq.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/ballina/hasanbelliu-kemi-55-shanse-kualifikimi-mancaku-na-duhet-nje-gol-ne-moldavi/#ixzz2YHLZIZML