Nëse PSG do të bëhet një klub i nivelit botëror, presidenti i Bajernit të Mynihut ka një këshillë për kampionët e Francës. Sot Huan Bernat luan për PSG-në, ndërsa Zherom Boateng dhe Renato Sançez mbetën në Mynih. Ky është rezultati i një merkatoje aktive mes kampionëve të Gjermanisë dhe atyre të Francës, e cila është mbyllur tashmë prej katër ditësh.

“Unë do ta këshilloja PSG-në që ta zëvendësonte drejtorin e saj sportiv. Ai njeri nuk është një reklamë e mirë për klubin”, tha Hënes për “Kicker”, duke nxitur Al-Khelaifin për t’i firmosur shkarkimin Antero Henrikes, për mënyrën se si negocioi transferimin e Zherom Boatengut.

66-vjeçari është zemëruar për mënyrën se si Henrike tentoi që ta transferonte qendërmbrojtësin gjerman.

“PSG nuk mund t’ia lejojë vetes që të ketë një drejtor të tillë sportiv nëse duan të jenë një prej klubeve më të mira në botë”, vijoi Hënes.

Pasi mësuan për interesin për mbrojtësin e tyre, Bajerni i vendosi çmimin e 50 milionë eurove 30-vjeçarit, i cili ka një kontratë deri në vitin 2021 në Mynih.

“E kërkuam një shifër të tillë, sepse nuk donim që ta linim Zheromin të largohej dhe nuk prisnim që Parisi ta paguante atë shifër. Ne donim që t’i bënim edhe një nder trajnerit tonë, sepse ai donte që ta mbante lojtarin”, theksoi Hënes.

Henrike, drejtori portugez, i cili ka punuar për Porton për shumë vite deri në verën e 2016, shkaktoi shumë konfuzion në “Säbener Straße”. Ai dështoi që ta materializonte një ofertë më të lartë se 38 milionë euro për Boatengun dhe në mënyrë të papritur e spostoi interesin e tij për Renato Sançezin.

Jo më larg se dita e diel, drejtori sportiv i Bajernit, Hasan Salihamixhiç, shprehu të njëjtin qëndrim ndaj kolegut të tij: “Unë nuk dua të fyej askënd. Por do t’iu them. Nuk mund t’i bësh gjëra të tilla një klubi si Bajerni i Mynihut. Veçanërisht, kur bëhet fjalë për një lojtar të tillë. Që një transferim të mbyllet me sukses, duhet të përputhen shumë gjëra. Duhet ta duam ne, të dojë lojtari dhe klubi tjetër të tregojë gjithashtu interes. Dhe ne nuk e ndiem këtë në asnjë moment. Edhe Zherom më konfirmoi se taktikat e klubit tjetër ishin të çuditshme”.